Mustafa merr shkas njohjen nga Surinami që ta ftojë opozitën për qetësi

Prishtinë | 22 Kor 2016 | 16:44 | Nga

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka reaguar pas marrjes së lajmit për njohjen e Kosovës nga Republika e Surinamit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se “Ky lajm i mirë, vjen pikërisht në ditën kur Kosova shënon gjashtë vjetorin e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

Sapo mora lajmin që Republika e Kosovës sot është njohur nga Republika e Surinames.

Ky lajm i mirë, vjen pikërisht në ditën kur Kosova shënon gjashtë vjetorin e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ky vendim i dha një mbështetje të fuqishme shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si dhe konfirmoi legjitimitetin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran.

Republika e Kosovës tashmë është njohur nga 112 shtete të botës.

Me përkushtimin maksimal të qytetarëve dhe institucioneve të saj, si dhe me përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë në krye me SHBA-të, Kosova po bën hapa të mëdhenj në zhvillimin ekonomik, në proceset integruese euroatlantike dhe në fuqizimin e shtetit ligjor.

E ardhmja e Kosovës është anëtarësia në Kombet e Bashkuara, në NATO dhe në gjirin e familjes evropiane.

Andaj, ftoj të gjitha subjektet politike që të lenë anash agjendat partiake dhe të jenë pjesë e proceseve që forcojnë sovranitetin e shtetit, i hapin udhë liberalizmit të vizave dhe proceseve tjera integruese si dhe krijojnë mundësi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme