Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka vazhduar fushatën e saj elektorale me një tubim të madh në Mitrovicë, ku kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thënë se LDK dhe kandidati i saj për kryetar komune, Safet Kamberi, nuk ofrojnë populizëm, por një program zhvillimor që adreson nevojat e qytetit dhe banorëve të saj.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës që kësaj radhe të japin votën për Safet Kamberin, sepse ky e meriton të jetë kryetar i Mitrovicës. LDK e meriton besimin dhe votën tuaj. Mitrovica ka zgjidhje dhe alternativa, sepse alternativa janë të gjitha subjektet politike që kanë konkurruar, por konsideroj që zgjidhja e duhur për Mitrovicën është vetëm LDK-ja”, ka thënë Mustafa.
“Ne nuk vijmë këtu për populizëm dhe fjalime të mira, por ne ofrojmë program dhe zgjidhje të mira”, është shprehur kryetari i LDK-së.
Mustafa tha se nëntë komuna të qeverisura nga LDK-ja dhe udhëheqja në nivelin qendror janë dëshmia më e mirë se LDK-ja është dukshëm para subjekteve tjera. “Mitrovica është e minatorëve, është e të gjithë atyre që kanë dhënë gjak dhe djersë për të, prandaj ne do të bëjmë përpjekje maksimale t’ua njohim meritat, të kujdesemi për ta, që Trepçën ta bëjmë Trepçë të vërtetë, që minatorët ta kenë respektin e duhur dhe që ekonomia e Mitrovicës dhe Kosovës të zhvillohet mbi bazën e këtyre burimeve të mrekullueshme”, është shprehur Mustafa.
“Qeveria që e kam drejtuar unë ka bërë përpjekje maksimale për ta përkrahur Mitrovicën, sepse ne nuk kemi shikuar kush është kryetar i saj dhe cila parti sa këshilltarë i ka në asamblenë komunale”, ka theksuar Mustafa, duke shtuar se LDK dhe Safet Kamberi do ta udhëheqin këtë komunë në mënyrën më të mirë.
Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Safet Kamberi, ka thënë se ka qenë i sigurt në përkrahjen e madhe që e gëzon LDK-ja në Mitrovicë dhe kjo po dëshmohet me tubimin e sotëm.
“Kemi vizituar shumë lokalitete e kemi takuar shumë njerëz. I kemi dëgjuar brengat e tyre e pastaj bashkë me ekipin dhe njerëzit më të mirë që i ka Mitrovica, jemi ulur dhe kemi punuar programin tonë që përbën ofertën më të mirë për katër vitet e ardhshme”, ka thënë Kamberi, duke shtuar se në program është zbatuar plotësisht filozofia e LDK-së, duke u përshtatur me specifikat që i ka Mitrovica.
Transporti i rregullt urban, i cili do të jetë falas për të gjithë pensionistët, ngrohtorja e qytetit, parkingjet e mjaftueshme, dy çerdhe publike, siguria për nxënës, Fondi i Punësimit, ulja e taksave për biznese, rritja e nivelit në shërbimet shëndetësore, zona turistike në Shalën e Bajgorës, dyfishimi i buxhetit për bujqësi, kthimi i identitetit për sport dhe kulturë, por edhe të tjera kanë qenë zotimet e Kamberit para të pranishmëve.
“Unë jam rritur në këtë vend dhe ia njoh të gjitha plagët, dua që dy vajzat e mia të rriten këtu, dua që perspektiva e tyre dhe gjithë fëmijëve tjerë të jetë e ndritur, prandaj jam zotuar se e gjithë energjia dhe vullneti im do të dedikohet për këtë qytet”, ka thënë Kamberi në fund të fjalës së tij, duke theksuar se Mitrovica është vend i dijes e i patriotëve, prandaj nuk mund të udhëhiqet nga njerëz që nuk kanë potencial as dije, e aq më pak nga palaço me të cilët tallet e tërë Kosova.