Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar të hënën se përpjekjet për marrëveshje të koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje janë duke vazhduar, por ka tërhequr vërejtjen se presioni publik për arritjen e saj është më së paku i nevojshëm tani.
Këtë ditë LDK-ja ka shënuar 30- vjetorin e themelimit dhe ka munguar një takim mes kryetarëve të LVV-së dhe LDK-së, ndonëse ka afruar dita e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, shkruan sot Koha Ditore.
Marrë parasysh pozicionet e palëve, njohës të rrethanave janë skeptikë se VV-LDK do të arrijnë marrëveshje para të enjtes, kur mbahet seanca.
“Situata nuk duket e mirë, sepse palët kanë betonuar qëndrimet e tyre dhe ka mbetur edhe shumë pak kohë që të gjendet një zgjidhje”, ka thënë analisti Krenar Shala. “Nëse nuk ka zgjidhje, vendi do të futet në qorrsokak dhe nuk dihet se çka do të ndodhë më tutje”.
Dy partitë që kanë nisur bashkëpunimin për një qeverisje të përbashkët shumë kohë para zgjedhjeve të 6 tetorit, aktualisht janë të bllokuara tek posti i presidentit. LDK-ja përveç postit të kryeparlamentarit, zëvendëskryeministrit të parë dhe pesë ministrive, kërkon që me këto negociata ta fitojë edhe postin e presidentit, duke mos specifikuar emrin e personit për këtë pozitë. Në Vetëvendosje e kanë përjashtuar këtë mundësi.
Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të LDK-së, Isa Mustafa ka folur edhe për mundësinë e arritjes së marrëveshjes me VV-në.