Mustafa: Papunësinë do ta ulim nën 20%

Prishtinë | 11 Shk 2017 | 10:38 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se këtë vit rritja ekonomike të jetë rreth 5 për qind.

Kjo rritje ekonomike, ka thënë kreu i Qeverisë, do të ndihmojë në zbutjen e varfërisë dhe papunësisë në vend.

“Mund të presim që në vitin 2017 të kemi rreth 25 mijë vende të reja të punës dhe po ashtu jam i bindur që në vitin 2017 ta ulim normën e papunësisë nën shifrën prej 20 për qind”, ka thënë Mustafa.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se Kosova shumë shpejt do ta kalojë pragun ndërkombëtar të varfërisë dhe do të konsiderohet si shtet me të ardhura të mesme.

Kryeministri Mustafa i bëri komentet në konferencën “Ambienti i Biznesit 2017”, e organizuar në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”, ku ka prezantuar planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës drejt zhvillimit të sektorit privat.

Kryeministri, së bashku me ministrat Hykmete Bajrami, Memli Krasniqi, Avdullah Hoti dhe Valon Murati, kanë shpalosur planet për avancimin e politikave ekonomike dhe punën që po bëhet që ambienti i biznesit të përmirësohet, duke iu mundësuar bizneseve vendore të jenë konkurrentë me prodhimet e tyre, me bizneset e vendeve të Bashkimit Evropian.

Pas fjalëve hapëse, kryeministri Mustafa dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë bashkëbiseduar me bizneset dhe iu janë përgjigjur dhjetëra pyetjeve dhe kanë trajtuar detajisht mundësitë e zhvillimit të mëtejmë ekonomik si dhe tejkalimin e sfidave si dhe çështjet tjera të rëndësishme për sektorin privat.

Në fjalën e tij, Mustafa tha se Qeveria në vazhdimësi është angazhuar që të prodhojë politika favorizuese për sektorin privat. Ai shtoi se  falë angazhimin të të gjithë resorëve përkatës, gjatë vitit 2015 dhe 2016 rritja ekonomike ka qenë prej 4 për qind. Mustafa tha se Kosova është një vend me performancë mesatare për nga investimet e huaja dhe se qëndron më keq se Shqipëria dhe Maqedonia. Ndërsa ka shprehur irritimin me konstatimet se Kosova është vendi më i pazhvilluar, raporton Ekonomia Online. (Lexo fjalimin e plotë të kryeministrit Mustafa)

Bajrami: Asnjëherë nuk ka qenë më i mirë ambienti i biznesit

Në fjalën e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, foli për ndryshimet pozitive që janë bërë deri tani si dhe për planet e projektet që janë paraparë të realizohen gjatë vitit 2017 të cilat do ta avancojnë më tej mjedisin e të bërit biznes dhe do të sigurojnë rritje të konsiderueshme ekonomike në vend.

Sipas saj, në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më i mirë ambienti i biznesit.

Ajo shtoi se në arenën afariste ka hapësirë për të gjithë ndërmarrësit por jo të gjithë mund të jenë të suksesshëm. Ministrja Bajrami më tutje shpalosi punën dhe projektet e realizuara nga agjencitë dhe departamentet e ministrisë që ajo drejton dhe tha se të gjitha njësitë organizative të MTI-së kanë përmirësuar shërbimet e tyre karshi bizneseve. “Po e zbatojmë me sukses MSA-në; po e finalizojmë Strategjinë e Sektorit Privat, si dhe përmendi një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore të cilat janë përmirësuar në të mirë të sektorit privat, si: Ligji për Falimentim, Ligji për Shoqëritë Tregtare, Ligji për Investime Strategjike, etj. Ajo tha se jemi duke punuar me intensitet të lartë edhe në ndërtimin e zonave industriale, në certifikimin e produkteve me certifikata ndërkombëtare të cilësisë, në promovimin e produkteve kosovare nëpër panaire, në avancimin e infrastrukturës së cilësisë, rritjen e efikasitetit të inspektoratit të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit, si dhe shumë angazhime tjera, të cilat po i japin shtytje fuqizimit të ndërmarrjeve dhe rritjes ekonomike në vendin tonë”.

Më tutje, ministrja Bajrami ka thënë se pavarësisht protestave e bllokadave në Parlament, ministritë që merren me sektorët ekonomikë, kanë punuar në përmirësimin e ambientit të bërit biznes.

“Derisa ka pasur bllokada në Parlament, protesta në rrugë, dialog në Bruksel, mure dhe rrëzim të tij, tren dhe ndalim të tij, ministritë të cilat kanë mandat përmirësimin e ambientit të biznesit, së bashku me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, me mbështetjen dhe kërkesën e kryeministrit Mustafa kanë punuar dhe po punojnë në përmirësimin e ambientit të biznesit”, ka thënë Bajrami, në konferencën e organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila funksionon në kuadër të MTI-së.

Drejtori i Agjencisë KIESA, Besian Mustafa, shpalosi para bizneseve pjesëmarrëse programin e panaireve që do të organizohen gjatë këtij viti si dhe aktivitetet e tjera të MTI-së fuqizimin e ndërmarrjeve, rritjen e eksportit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Hoti: Asgjë nuk po bëjmë pa pajtueshmërinë e bizneseve

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, para pronarëve të bizneseve ka prezantuar pikat e pakos së re fiskale, që, sipas tij, do të ndihmojnë në ambientin biznesor në vend.

“Masa e parë është zgjerimi i listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë, për lirim nga tatimi doganor, këtu kemi trajtuar të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga shoqatat ekonomike. Lista përfshin të gjitha imputet që përdoren për qëllime prodhime, si industria e ushqimit, pijeve, metalurgjisë e bujqësisë dhe sektorë të tjerë”, ka theksuar Hoti.

“Ne, ka kohë që jemi duke biseduar me komunitetin e biznesit dhe e them me shumë kënaqësi se listës prej shtatë masave që ka qenë në fillim i janë shtuar edhe trembëdhjetë të tjera. Asgjë nuk është bërë pa pajtueshmërinë e bizneseve. Shumica prej këtyre masave janë rekomandime të përfaqësuesve të biznesit, ose vetë bizneseve. Impakti buxhetor nga këto masa në dogana ka qenë rreth 15 milion euro por ne presim që në të ardhmen të kemi përfitime të cilat do ta mbulojnë këtë impakt” tha Hoti.

Krasniqi: 30 mijë familje përfituan nga subvencionet

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha se viteve të fundit ka rezultate pozitive në sektorin e bujqësisë. Sipas tij, ky sektor nga viti në vit ka rritje të eksportit. “Vitin që shkoi eksportet kanë shënuar rritje prej 10 për qind”.

Krasniqi bëri të ditur se janë mbi 30 mijë familje që kanë përfituar nga subvencionet qeveritare. “Vitin e kaluar, MBPZhR-ja i ka dhënë 48 milionë euro në kontot e fermerëve. Nëse mendon dikush se është më mirë me ua dhënë 5-6 bizneseve këto para, unë e them të kundërtën. Ne duhet t’i ndihmojmë direkt fermerët”.

Murati: Për një vit, diaspora solli 667 milionë euro

Në konferencën “Ambienti i Biznesit 2017” merrte pjesë dhe ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili theksoi se po punojnë që remitencat që bashkatdhetarët tanë dërgojnë për familjet e tyre, të kthehen në zhvillim ekonomik.

“Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës në vitin 2015 shifra që ata kanë shpenzuar në Kosovë është 667 milionë euro . Shifra e fundit sipas BQK-së e remitencave për të njëjtin vit është 665 milionë euro. Ndërsa nga shifra e investimeve të huaja direkte, deri në 180 milionë euro shkon shifra e investimeve që kanë ardhur nga diaspora”.

ZKP-3

ZKP-4

Të ngjashme