Mustafa përkujton 21-vjetorin e Betejës së Koshares

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar 21-vjetorin e Betejës së Koshares.

“Beteja e Koshares, para 21 viteve, shënon fitoren më të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shënon fillimin e çlirimit të Kosovës. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill 1999, është një prej datave më të rëndësishme në kalendarin e historisë së luftës të Kosovës”.

“Kjo betejë është ndër betejat më të përgjakshmet dhe më të lavdishmet të UÇK-së, hapi një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të UÇK-së dhe fitorja në këtë betejë është një ndër pikat më të shndritshme të luftës tonë për liri”.

“Uniteti dhe vendosmëria e ushtarëve tanë dhe shkathtësitë e larta ushtarake taktike dhe operative kundër një armiku shumë më të madh dhe të armatosur, bën që këta luftëtarë të triumfojnë në këtë betejë. Beteja e Koshares ishte kulminacioni i një jete të plotë të ndërtuar mbi sakrificën për liri dhe shënoi përpjekjet për shtet-formimin e Kosovës”.

“Poashtu në këtë ditë vlerësojmë lartë dhe përkujtojmë të rënët në këtë betejë dhe anekënd Kosovës. Vepra e Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Abaz Thaçit, Xhemajl Fetahut por edhe vepra e të gjithë heronjve dhe dëshmorëve le të shërbejë si udhërrëfyes i rrugës tonë drejt ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit tonë në integrime euratlantike. Triumfi i këtyre luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Në kthesat vendimtare përmes angazhimit të tyre”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme