Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, priti në takim njoftues ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, i cili shoqërohej nga atasheja policore, znj Dalia El-Hennawi.
Mustafa e njoftoi ambasadorin austriak për prioritetet dhe proceset nëpër të cilat po kalon MPB. Po ashtu u diskutua edhe për rëndësinë e forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit me qëllim të luftimit të krimit të organizuar.
Ministri falënderoi ambasadorin austriak për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Republikën e Kosovës, veçanërisht për kontributin që kanë dhënë në kuadër të presidencës së Radhës së BE-së, për forcimin e bashkëpunimit rajonal në forcimin e rendit dhe ligjit.
Ndërsa ambasadori Pfandler theksoi se qeveria e Austrisë do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, veçanërisht me institucionet e sigurisë.