Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se është kërkesë e qëlluar që të bëhen transparente pasqyrat e subjekteve politike.
Ai ka thënë se si kryetar i LDK-së ka bërë kërkesë tek zyrtarët e partisë që në mënyrë zyrtare të kërkojnë që KQZ-ja t`i bëjë publike pasqyrat financiare.
Mustafa është shprehur se LDK do të aktivizojë ueb-faqen ku do të prezantojë çdo cent të shpenzuar për partinë.
Por, ai ka kërkuar që “edhe subjektet të cilat po lavdërohen se i kanë bërë publike pasqyrat e tyre financiare do të pasqyrojnë se me cilat para dhe nga cilat burime është financuar gazi lotsjellës, shishet e molotovit, sferat e qelqit, mekanizmat për rrotullimin e automjeteve, protestat e dhunshme…”, duke aluduar qartë në Lëvizjen Vetëvendosje.
Lexoni statusin e plotë të tij:
Një kërkesë shumë e qëlluar që pasqyrat financiare të subjekteve politike të bëhen transparente. Por edhe të auditohen. Si kryetar i LDK-së kam kërkuar nga zyrtarët përgjegjës të LDK-së të kërkojnë zyrtarisht nga KQZ-ja që pasqyrat financiare të LDK-së të dorëzuara në KQZ të jenë publike dhe të qasshme për çdo qytetar. Do të aktivizojmë edhe Web-faqen e LDK-së dhe do të prezantojmë çdo cent të shpenzuar për partinë.
Shpresoj se edhe subjektet të cilat po lavdërohen se i kanë bërë publike pasqyrat e tyre financiare do të pasqyrojnë se me cilat para dhe nga cilat burime është financuar gazi lotsjellës, shishet e molotovit, sferat e qelqit, mekanizmat për rrotullimin e automjeteve, protestat e dhunshme… Burimet e financimit të subjekteve politike dhe shpenzimet e tyre duhet të jenë transparente.