Mustafa: Qeveria e përkushtuar për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës

Gjakovë | 02 Pri 2017 | 13:36 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Aeroportin e Gjakovës.

Pas takimit me drejtuesit dhe vizitës së aseteve e pajisjeve ekzistuese, kryeministri Mustafa ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që në muajt në vijim të punohet fuqishëm në funksionalizimin e këtij Aeroporti.

Duke bërë të ditur se shumë shpejt, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, të Transportit, të Financave dhe të FSK-së, do të vizitojnë këtë Aeroport dhe do të shqyrtojnë mundësitë se si të veprohet më tutje, kryeministri Mustafa tha se ky është një aset tepër i rëndësishëm i Kosovës, i cili aktualisht ka një vlerë mbi 10 milionë euro të pajisjeve dhe ndërtesave.

“Do të zgjidhet edhe çështja e pronave, por para së gjithash çështja e përdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik të këtij Aeroporti. Aeroporti është në vend të mrekullueshëm dhe shumë të përshtatshëm. Është një aset për të cilin ka nevojë Kosova që të shfrytëzohet ose për udhëtarë, për mallra, ose si shkollë e pilotimit ose për FSK-në apo Ushtrinë e ardhshme të Republikës së Kosovës. Ne, gjithsesi do të punojmë në muajt në vijim që ta funksionalizojmë, të sigurojmë që stafi i cili punon këtu të ketë mjete edhe për sigurimin e aeroportit por edhe për mundësinë e operimit të tij. Po ashtu, u morëm vesh që ta bëjmë një studim të fizibilitetit nga i cili do të del rezultati konkret se si është mënyra më e mirë e shfrytëzimit të këtij aeroportit”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeshefja ekzekutive e Aeroportit të Gjakovës, Vlora Gojani, duke falënderuar kryeministrin Mustafa për vizitën, e ka njoftuar për aktivitetet dhe për të gjithë punën që është kryer në Aeroportin e Gjakovës.

“Mirëpo, njëherësh i ndamë edhe të gjitha sfidat dhe problemet me të cilat jemi ballafaquar gjatë vitit. Shpresojmë se do të përfitojmë të dy anët nga ky takim. Aeroporti i Gjakovës është aset nacional, është aset shtetëror dhe jemi drejt funksionalizimit të këtij Aeroporti”, tha Gojani.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme