Mustafa: Qeveria Kurti e shtrenjtoi rrymën dy herë, urgjentisht të investojë në kapacitete të reja gjeneruese

Prishtinë | 31 Mar 2023 | 12:57 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, ku është theksuar se brenda dy vitesh qeverisje nga Albin Kurti, çmimi për energji elektrike është shtrenjtuar dy herë, raporton Ekonomia Online.

Deputeti Besian Mustafa ka kërkuar që urgjentisht Qeveria Kurti të investojë në krijimin e kapaciteteve vendore të gjenerimit të energjisë elektrike.

“Për herë të dytë në këto dy vite të kësaj Qeverie të gjithë qytetarëve po u rritet çmimi i energjisë elektrike, kësaj radhe edhe për 15,4%. E tëra kjo në këtë kohë krize kur çmimet e produkteve esenciale janë rritur deri në 50%, kur tatimi në pronë është rritur për 100%, kur pagat nuk janë rritur as në sektorin publik as në sektorin privat dhe kur kursimet pensionale në TRUST janë zvogëluar për 156 milionë euro. Shtoj kësaj dhe faktin që vitin e kaluar investimet kapitale ishin realizuar për vetëm rreth 60% ndërsa Qeveria mburret që i kanë tepruar qindra miliona euro dhe krijohet një pamje e qartë e dështimeve ekonomike të kësaj Qeverie dhe të shtrydhjes financiare të familjeve kosovare”, tha ai.

Mustafa akuzoj qeverinë që për dy vite nuk ka nuk ka investuar asnjë cent të vetëm në krijimin e kapaciteteve të reja vendore të gjenerimit të energjisë elektrike.

“Për të përkeqësuar edhe më tej gjendjen në sektorin e energjisë, kjo Qeveri për dy vite nuk ka investuar asnjë cent të vetëm në krijimin e kapaciteteve të reja vendore të gjenerimit të energjisë elektrike. Qindra miliona euro të shpenzuara në subvencionim të çmimit të rritur të energjisë nuk e zgjidhin problemin afatgjatë të energjisë. Investimi i këtyre milionave në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese është e vetmja zgjidhje afatgjatë e qëndrueshme. Për më keq, procesi i remontit të blloqeve të KEK-ut ishte vonuar shumë gjatë këtyre dy viteve duke ulur ndjeshëm prodhimin vendor dhe duke rritur nevojën për import të energjisë, me çmime tejet të larta”, tha ai.

Ai bëri thirrje që qeveria urgjentisht të investojë në krijimin e kapaciteteve vendore të gjenerimit të energjisë elektrike në partneritet të plotë me sektorin vendor dhe ndërkombëtar.

“Qeveria duhet urgjentisht të investojë në krijimin e kapaciteteve vendore të gjenerimit të energjisë elektrike në partneritet të plotë me sektorin vendor dhe ndërkombëtar. Këto investime duhen përqendruar tek burimet e ripërtërishme të energjisë si dhe tek termocentrali me gaz si opsioni më i mirë që garanton tranzicion të qëndrueshëm. Në mungesë të investimeve në kapacitete vendore të energjisë elektrike, kjo Qeveri po dëmton rëndë ekonomitë familjare si dhe prodhuesit vendor duke i bërë konkurrent të dobët me prodhuesit e rajonit dhe më gjerë. I bëjmë thirrje Qeverisë që sa më parë të fillojë investimet në gjenerimin vendor të energjisë elektrike, veçanërisht nga burimet e ripërtërishme dhe gazit natyror si dhe uljen TVSh-së në faturat e energjisë elektrike në 0% deri në tejkalimin e kësaj krize”, tha ndër të tjera ai.

Ai tha se format e subvencionimit të faktuarave nga qeveria nuk janë zgjidhje, sipas tij po të investoheshin të gjithë ato para në gjenerim të energjisë, vendi nuk do të përballjen me këto probleme.

“Forma me subvencionim është një harrim i problemit jo zgjidhje e problemit. Ato nuk ofrojnë zgjidhje afat të mesë a po afat gjatë. Janë mbi 100 milion euro, e qindra miliona euro qe po përdoren për subvencionim, kur këto qindra miliona euro do të duhej që investoheshin në gjenerim të energjisë dhe nuk do ti kishim këto probleme”, tha ai.

Të ngjashme