Shpalosja e idesë së një tregu rajonal ballkanas, para kryeministrave të 6 vendeve të rajonit ka përplasur kryeministrin Isa Mustafa me atë të Shqipërisë Edi Rama, ku ky i fundit tha se kjo ide është plasuar nga Shqipëria.
Mustafa vlerëson se Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është, duke iu referuar propozimit të Ramës. Madje, Mustafa ia kujton kryeministrit të Shqipërisë se përmes këtij tregu rajonal “kthehet Jugosllavia”.
Postimi i plotë i Kryeministrit:
Tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve.
Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është. Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri. Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Ose një union doganor i Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova nuk do të ketë prekje me asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jo!
Kosova thellësisht mbështet bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, heqjen e të gjitha barrierave të të bërit biznes dhe tregti me vendet e Ballkanit Perëndimor; punën e përbashkët në tërheqjen e investimeve të huaja, bashkëpunimin ndërmjet NVM-ve, njohjen dhe respektimin e diplomave, qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit.
Kosova vendin e vet e sheh në tregun unik evropian, mbi bazën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.