Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stolenberg, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës i ka bërë të gjitha përpjekjet për t’u transferuar në Forcë të Armatosur, por se sipas tij këtë gjë po e pengon Lista Serbe, raporton Ekonomia Online.
“FSK-ja i ka bërë të gjitha përpjekjet për t’u transferuar, por ky proces po mbahet peng për shkak se nuk e kemi përkrahjen e deputetëve serb”.
“Vlerësoj lartë qëndrimin e KFOR-it, në Kosovë, të shpreh vazhdimin e bashkëpunimit tonë me NATO-n, në rrafshin politik dhe praktik. Kosova në suaza të mundësive të saj do të jetë aleat i fuqishëm i juaji dhe duhet të transformojmë FSK-në, dhe Forca të Armatosura”.
Kryeministri, Mustafa ka folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duke thënë se kanë bërë punë të rëndësishme dhe se është arritur proces.
“Ne kemi bërë punë të rëndësishme kundër luftës së krimit dhe korrupsionit. Është arrit proces në këtë fushë. Kemi evidentuar arritje edhe në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit”, ka thënë Mustafa.
Kurse, sa i përket qëndrimit të KFOR-it, në Kosovë, Mustafa ka pohuar se e vlerësojnë lartë qëndrimin e këtij të fundit ende në Kosovë sepse është në interes të paqes dhe stabilitetit.
“Më vjen mirë që Kosova do të përfitojë nga programet e NATO-s. Ne e vlerësojmë lartë rolin e KFOR-it dhe shohim se është në interes të paqes dhe stabilitetit prezenca e KFOR-it në Kosovë.