Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Shoqata “Nënë Tereza” ka dëshmuar angazhim të pashoq duke mbledhur rreth vetës njerëz të mirë nga Kosova dhe gjithë Evropa, prandaj sipas tij, kjo vepër meriton të shënohet me shkronja të arta në historinë tonë.
Këto komente ai i ka bërë në shënimin e 20-vjetorit të Maternitetit në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Ai tha se 20 vjet janë një periudhë e shkurtë për vendet që kanë krijuar një histori në vendet e tyre, por për Kosovën shënojnë një periudhë të ndryshimeve shekullore.
“Janë vite të ndërtimit të një shëndeti më një shtet të pavarur në Republikën e Kosovës, ndryshime epokale”, tha Mustafa, raporton Ekonomia Online.
“Janë vite të cilat në mënyrë më të vrazhdë ne e provuam dhunën, e provuam eksodin, vrasjet, plaçkitjet, vite të rezistencës paqësore, të luftës së UÇK-së, shpalljes së pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, Don Lush Gjergji tha se parimi bazë i Shën Terezës ishte që “kudo që jeta është në rrezik aty duhet të jemi ne. Ne këtë parim e shndërruam në një betim as të fikur e as të koritur”.
“Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës u themelua që jetën dhe veprën e Nënës Terezë ta nderoj popullin tonë dhe të gjithë njerëzit t’i ndihmojë, t’i afrojë dhe bashkojë më një solidaritet të pashoq”, tha Don Lush Gjergji.
Ndërsa, mjeku Sejdullah Hoxha, duke folur përkujtuar punën e atyre viteve që është bërë në Maternitet tha se rrethanat politike të asaj kohe çfarë ishin u keqësuan në atë masë sa që kanosej edhe ekzistenca fizike shqiptarëve.
“Me dëbimin e punëtorëve shqiptarë nga puna, fatin e njëjtë e patëm edhe punëtorët shëndetësorë nga mbarë Kosova. Shëndetësia kosovare u gjend në rrethana të reja dhe e pa përgatitur në këtë gjendje sa e rëndë aq edhe tragjike, goditje më të madhe mori Fakulteti i Mjekësisë”, tha Hoxha.