Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një konferencë për medie, ka shfrytëzuar fitoren në Istog për ta goditur kreun e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinajn, për çështjen e demarkacionit që i ka përplasur këto dy figura edhe kur ai vetë ishte kryeministër.
Ai ka thënë se AAK-ja do të dështojë në projekte, siç ai i ka quajtur, të rrejshme, duke përmendur edhe marrëveshjen e Demarkacionit.
“Ashtu siç dështoi AAK në Istog, besoj se do të dështojë edhe në projektet tjera të rrejshme, si demarkacioni. Si u dorëzuan në Istog, do të dorëzohen edhe në kauzat e tjera të rrejshme”, ka thënë Isa Mustafa.
Madje i pari i LDK-së ka ripotencuar se do të veprojnë për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj. Ai ka thënë se do të bisedojnë më VV-në për inicimin e mocionit ndaj qeverisë.
“Çka mund t’u them tash është se kjo qeveri nuk do të mbijetojë gjatë”, ka thënë Mustafa.