Mustafa me sulme po përpiqet ta fshijë koalicionin që e kishte bërë me PDK-në

Prishtinë | 22 Maj 2017 | 12:15 | Nga

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i LDK-së, pak ditë pas rrëzimit të Qeverisë ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës e rikonfirmoi edhe një herë se është parti e kullave dhe dredhive.

Mustafa ka nënvizuar, mangësitë që po përshkojnë këtë proces zgjedhorë e që është mungesa e reformës zgjedhore. Sipas të njëjtit, ata që bënë koalicion nën panik, pak para mesnatës, nuk ishin të interesuar për reformë, pasi ata donin ta çonin vendin në zgjedhje, duke e ditur që rënia e tyre është e madhe, ndaj po përpiqen të shpëtojnë çka mund të shpëtohet.

Kryeministri Mustafa ka thënë se PDK-ja i ka shkelur zotimet politike, të cilat i ka premtuar gjatë bërjes së koalicionit qeverisës me partinë e Mustafës.

“Tashmë është e qartë se PDK-ja është ideatore, porositëse dhe kreatore e mocionit që e rrëzoi edhe vetveten, pra Qeverinë ku ishin edhe ministrat e PDK-së. Ndërkaq, Nisma vetëm e ka lexuar atë, pra i ka kryer një shërbim PDK-së, me kusht që kjo e fundit t’i premtoj pozita në një Qeveri, e cila kurrë nuk do të jetësohet. Ne nuk kemi pasur kurorë me PDK-në, por zotime politike të cilat i kanë shkelur. Pretenduan lart dhe ranë në fund të pusit”, ka thënë Mustafa për gazetën Bota Sot.

Tutje Isa Mustafa ka komentuar edhe kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër. Ai ka shprehur bindjen se Hoti do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Mustafa thotë se ka kandidatë që kërcënojnë e shantazhojnë punëtorët e administratës shtetërore, që kërcënojnë partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në, që kanë hequr dorë nga liberalizimi i vizave e që rrezikojnë të ardhmen e shtetit të Kosovës.

“Synimet tona të padiskutueshme janë fitorja plebishitare në zgjedhjet e 11 qershorit, vazhdimi i reformave të udhëhequra nga Qeveria e kryesuar nga LDK-ja dhe shkapja përfundimtare e shtetit nga e keqja, proces që ne e kemi nisur dhe ne do ta përfundojmë. Tashmë, është e qartë se kryeministër i Republikës së Kosovës do të jetë Avdullah Hoti”, ka thënë Mustafa.

Të ngjashme