Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se raporti i fundit i “Transparency International” (TI), është dëshmi të rëndësishme e progresit të Kosovës.
“Përkushtimi i jashtëzakonshëm i Qeverisë së Kosovës po reflekton në raportet dhe vlerësimet ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se përmirësimi i renditjes së Kosovës në raportin e “TI”-së është rezultat i hapave konkretë që ka ndërmarrë Qeveria.
“Duke filluar që nga suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, te reformat strukturale siç është prokurimi elektronik, e deri te fakti se gjatë tërë këtij mandati nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive. Ne do të rrisim edhe më tutje angazhimin që ta bëjmë Kosovën shembull të luftës kundërkorrupsionit në rajon”, ka shkruar Mustafa në profilin e vet në “Facebook.
Në këtë postim, kreu i Qeverisë ka komentuar dhe vendimin e djeshëm të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, e cila e refuzuar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit për pranimin e FFK-së në UEFA.
“Ky vendim konfirmon Kosovën në familjen evropiane dhe botërore të futbollit”.
“Duke pasur parasysh dashurinë që qytetarët e Kosovës kanë për futbollin dhe nevojës për avancimin e infrastrukturës, para pak ditësh u miratua projekti për Ndërtimin e Stadiumit Nacional të Futbollit në periferi të Prishtinës”, ka shkruar Mustafa.
Qeveria e Kosovës, është zotuar Mustafa, do të rrisë edhe më tutje përkrahjen për të gjitha sporte.