Mustafa u bën thirrje qeveritarëve: Mos i shfrytëzoni veturat zyrtare për pushime

Prishtinë | 22 Kor 2016 | 10:27 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë mbledhjes së Qeverisë ka bërë thirrje që automjetet zyrtare të mos shfrytëzohen për pushime në Durrës. Ai ka deklaruar se është e pakuptimtë që automjetet publike të shfrytëzohen nga zyrtarët për pushime në Durrës.

Këto deklarata kryeministri i bëri në mbledhjen e sotme të Qeverisë, në të cilën është miratuar raporti gjashtëmujor i buxhetit të Kosovës për vitin 2016.

Veturat zyrtare qytetarët tashmë janë mësuar që t’i shohin jo vetëm gjatë vikendeve por edhe në bregdet. Këto raportime në media kishin bërë që Mustafa të kërkojë nga Ministria e Punëve të Brendshme që të ndalohet qarkullimi i të gjitha makinave zyrtare ditëve të fundjavës dhe ditëve të festës.

Sa i përket të hyrave buxhetore, ai ka thënë se ka një ecuri më të mirë të hyrave dhe efikasitet më të lartë të institucioneve, por mjetet duhet të shfrytëzohen në mënyrë racionale.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke prezantuar raportin tha se kjo periudhë është karakterizuar me ritëm të rritjes së aktivitetit ekonomik.

“Të hyrat kanë shënuar rritje. Rritja e të hyrave është nga aktiviteti i shtuar ekonomik e jo nga taksat siç pretendohet. Kemi pasur ngecja nga dividenta, sepse PTK nuk ka paguar asgjë deri më tani. Të hyrat nga tatimi në pronë në komuna ka pasur rritje prej 16 për qind”, tha Hoti.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme po ashtu ka miratuar Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, ka marrë vendim edhe për ndarjen e mjete financiare në vlerë prej 300 mijë euro për aktivitetet lidhur me shpalljen dhe kanonizimin e shenjtërisë Nëna Terezë, i cili do të mbahet më 4 shtator.

Gjithashtu, në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 10 mije euro për qendrën për studime dhe shërbime psikologjike dhe sociale për përkrahjen e Projektit Atomi. Nga mbledhja e sotme, është marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare prej 18 mijë eurove për shoqatën e të verbërve nga Peja, për botimin e legjislacionit të alfabetit të Braillit.

Të ngjashme