Mustafa: Viberi na shkakton 60 milionë € humbje në vit

Prishtinë | 26 Kor 2016 | 17:18 | Nga

Tre milionë minuta në ditë, e barabartë me 4.5 milionë euro në muaj apo 54 milionë euro në vit, vetëm nga thirrjet vendore dhe 120 mijë minuta në ditë apo rreth 7 milionë euro në vit nga thirrjet ndërkombëtare. Këto janë humbjet që i shkaktohen operatorit Vala nga aplikacioni në internet “Viber”.

Këto shifra i ka potencuar Agron Mustafa, drejtor i Përgjithshëm i Telekomit, në një intervistë për RTK-në. Ai ka bërë të ditur se shifrat janë nxjerrë në bazë të matjeve gjatë fundit të muajit qershor.

“Në total mbi 60 milionë euro, një shifër e konsiderueshme si për qarkullimin e kompanisë, ashtu edhe për aksionarin tonë – Qeverinë e vendit, që do të paguanim në emër të dividentës, nëse këto para do të kalonin përmes nesh”, ka thënë Mustafa.

Megjithëse e mbështet zhvillimin teknologjik, drejtori i Telekomit thekson anën “e pandershme” të operimit të “Viberit” dhe aplikacioneve të tjera, të cilat e shfrytëzojnë infrastrukturën e Valës për hapjen dhe mbajtjen e llogarisë dhe nuk paguajnë asnjë cent.

Por, ky nuk është problem vetëm për Kosovën. Të gjithë mund t’i kenë parë tashmë shifrat nga humbjet e operatorëve në regjion dhe pjesë tjera të botës, ka shtuar Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme