Mustafa: Zgjedhjet të pranueshme, por të fundit – LDK tani s’e synon Presidencën

Prishtinë | 25 Tet 2020 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Shefi i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë me shkrim për Express, konsideron se rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve me AAK’në është dialogu por nuk e përjashton edhe mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. E konsideron të pranueshme edhe mundësinë që qytetarët të ballafaqohen edhe me një proces të ri elektoral për zgjedhje parlamentare.

Por, ish-Kryeministri i Kosovës sheh probleme te zgjedhja e Presidentit, pas zgjedhjeve të reja, nëse partitë nuk gjejnë zgjidhje tash. E, tash për tash, LDK nuk po e synon pozitën e Shefit të Shtetit pasi e ka pozitën më të rëndësishme në Shtet – Kryeministrin.

Megjithëkëtë, ai  thotë se çështja e zgjedhjes së Shefit të Shtetit po diskutohet para kohës, pasi Kosova e ka një President.

Gazeta Express: Janë̈ rikthyer debatet ndërmjet Kryeministrit dhe Kryetarit të AAK’së. Mospajtime të tilla ishin shfaqur edhe kur Hoti ishte në Uashington. A mund ta çojnë̈ vendin në zgjedhje këto mospajtime me partnerin tuaj të koalicionit?

Isa Mustafa: Kemi bërë dhe do të bëjmë përpjekje që mospajtimet tona për çështje të caktuara t’i zgjidhim me biseda dhe dialog si partnerë. Kjo është rruga më e mirë. Zgjedhjet janë opsioni i fundit por gjithsesi i pranueshëm.

Gazeta Express: Nuk i keni përjashtuar zgjedhjet nëse s’pajtoheni për Presidentin. Është përmendur mundësia që nëse shkohet në zgjedhje të bëheni ju President. Sa janë̈ reale këto pohime?

Isa Mustafa: Për zgjedhjen e Presidentit po flitet para kohe. Presidenti është në zyrë me autoritet kushtetues. Kur t’i vjen koha do të provojmë të gjejmë një pajtim për një kandidat. LDK tani ka Kryeministrin dhe nuk pretendon edhe pozitën e Presidentit. Shpresoj se do të gjendet zgjidhja, sepse ndryshe shkojmë në zgjedhe të përgjithshme, të cilat nuk na garantojnë se pas tyre kemi zgjidhje për President, kushdo qoftë ai.

Gazeta Express: Po vazhdon debati për shuarjen e task-forcës së Policisë së Kosovës që merrej me hetimin e korrupsionit. A është konsultuar me ju Kryeministri kur ka marrë këtë vendim dhe a ka të bëjë̈ shuarja e këtij institucioni me faktin se po raportohet se disa zyrtarë të LDK’së kanë qenë duke u hetuar nga ky mekanizëm i policisë̈?

Isa Mustafa: Kryeministri s’ka nevojë të konsultohet për vendimet me të cilat zbatohen ligjet dhe Kushtetuta.

Kryeministri është i vendosur ta luftojë krimin dhe korrupsionin me mekanizma që i parashohin aktet më të larta juridike dhe jo me mekanizma të qeverisë, sepse ka ndarje të pushteteve. Çfarë kam kuptuar nga deklaratat e Kryeministrit, njerëzit e kësaj Task-force të deritanishme vazhdojnë të trajtojnë lëndët dhe të kryejnë punën e tyre  si pjesë integrale e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

Kjo do të thotë se Qeveria nuk ka marrë vendim për asnjë lëndë dhe për asnjë rast por ka marrë vendim të korrigjojë vendimet qeveritare, të cilat janë marrë më parë, gjë që është e drejtë e çdo qeverie.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme