Mustafës i kërkohet në ShBA të përgjigjet për demarkacionin

Prishtinë | 22 Sht 2016 | 20:02 | Nga

Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Isa Mustafa ka marrë pjesë edhe në pritjet e organizuara nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka takuar përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e tyre për Kosovën e po ashtu është pyetur për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në një deklaratë për media, kryeministri Mustafa ka folur për agjendën e takimeve në New York.

“Agjenda jonë ka të bëjë me forcimin e subjektivitetit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe njohjen e Kosovës nga më shumë shtete sa që e kanë njohur deri më tani. Pastaj, vënia e marrëdhënieve bilaterale me shtete të cilat e kanë njohur Kosovën por akoma nuk kemi vendosur marrëdhënie bilaterale dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”, tha Mustafa.

Duke folur për përkrahjen e ofruar nga SHBA, kryeministri Mustafa tha se ka pasur takime edhe me përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ka ardhur në shprehje interesimi i përhershëm për Kosovën.

Ndërkaq, në pyetjen e gazetarëve lidhur me procesin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se çështja është shumë qartë.

“Ne duhet t’i përmbushim detyrimet të cilat i kemi dhe detyrimi përfundimtar që tani ka mbetur që ta përmbushim është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Është një çështje e cila është e patejkalueshme sa i përket përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Por, mund t’ju them se kjo çështje nuk është diskutuar vetëm nga ta, kjo çështje na është shtruar gati në të gjitha takimet që i kemi pasur”, tha kryeministri Mustafa.

Të ngjashme