Mustafi i bën thirrje Arsenalit t’i shmangë gabimet në mbrojtje kundër Chelseat

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Shkodran Mustafi ka theksuar se Arsenali duhet t’i shmangë gabimet në mbrojtje, të cilat ia kanë dëmtuar sezonin, në mënyrë që ta mposhtë Chelsean në finale të Ligës së Evropës.

Qendërmbrojtësi shqiptar i Gjermanisë, Mustafi ishte pjesë e vijës së mbrojtjes së Arsenalit e cila i pranoi plot 51 gola në 38 ndeshje në Premierligë sezonin që lamë pas, duke bërë që klubi të përfundojë në vendin e pestë.

Si pasojë, Arsenali duhet të fitojë patjetër në Baku më 29 maj për t’u kualifikuar në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Mustafi është kritikuar dhe akuzuar si shkaktar i gabimeve të shumta në mbrojtjen e “Topçinjve”, por ai këmbëngul se gjërat janë nxjerr jashtë kontekstit.

“Finalja do të jetë një ndeshje ku një gabim të ndëshkon prandaj edhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Mustafi në konferencë për media.

“Puna jonë si mbrojtës është të përpiqemi të mos pranojmë gola, ama nëse 90 për qind të punës e bën mirë dhe në 10 për qind të saj kundërshtari shënon një gol, njerëzit e harrojnë 90 përqindëshin”, shtoi shqiptari.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme