Mutacioni britanik i Covid- 19 qarkullon edhe në Shqipëri. Lajmi u konfirmua këtë të enjte nga ministrja e Shendetësisë Ogerta Manastirliu gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, e cila bëri të ditur se testimet e kryera në ISHP dhe laboratorët e referencës identifikuan praninë e variantit të ri të koronavirusit.
“Rezultatet e testimeve të kryera treguan se kampionet janë të infektuara me variantin e ri, mbajnë një shenjë të mutacionit britanik, që është në qarkullim në më shumë se 70 vende të botës”.
“Kanë qënë persona që kanë pasur kontakt me persona ku është evidentuar mutacioni apo që kanë udhëtuar jashtë shtetit, apo të riinfektuar”, u shpreh Silva Bino, njofton TV Klan.
Komiteti i Ekspertëve vendosi të mbajë në fuqi masat aktuale kundër Covid-19 dhe për dy javë të tjera.
Drejtuesja e tij Mira Rakacolli e quajti një situatë të qëndrueshme me një tendencë në ulje të infektimeve të reja.
“Do të vazhdojë të jetë ora policore ajo që ka qenë, nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit, mësimi online për shkak të numrave të të rinjve që janë rritur, fluturimet me Britaninë do të mbeten të pezulluara”.
Ndërkohë ministrja Manastirliu konfirmoi se të premten pritet të vijnë vaksinat e para nga AstraZeneca përmes mekanizmit Covax.
“Nesër vijnë dozat e para 38.400 vaksina, dhe menjeherë do të fillojë vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve dhe ata të grupmoshës mbi 80 vjeç. Janë më shumë se 16.000 vaksinime për stafin mjekësor në të gjithë vendin”.
Në mbledhjen e Komitetit u prezantuan edhe 3 anëtarët e rinj, pas largimit të mjekut Tritan Kalo dhe shefes së infektivit Najada Çomo. Mjekët Dhimitër Kraja, Ermira Kola dhe Alban Ylli do t’i bashkohen vendimarrjes së ekspertëve.