Shumica e vizitorëve të Muzeut të Korrupsionit, që është i vendosur te Lumbardhi në qendër të Prizrenit, nuk kanë ide se çfarë do i pret brenda.
“Dëgjova që përmendet dhe erdha të shoh se për çfarë njëmend bëhet fjalë” – tha njëri nga vizitorët e shumtë. Ata i presin Lumi (aktori në filmin e nominuar për Oskar “Shok”) dhe Onati, një aktor tjetër, të cilët janë udhërrëfyesit e muzeut të improvizuar.
Këta dy ciceronë të rinj e shpjegojnë secilin artifakt dhe copëz të mbetur nga “koha kur kishte korrupsion në shoqërinë tonë”.
Diploma e falsifikuar me vulë të filxhanit të kafes, dollapi i stërmbushur me dosje të gjykatave, fotografi të atyre që e luftuan korrupsionin, janë këto vetëm disa prej shumë detajeve të paraqitura në këtë “muze”, për vizitorët. Këto gjësende janë të vendosura me qëllim që të krijohet iluzioni i “ecjes në një kohë kur korrupsioni mbretëronte në shoqërinë tonë”.
“Ishte interesant sepse ne jetojmë mu në këtë kohë, kur korrupsioni po na vështirëson jetën të gjithëve. Por ishte një përvojë që më shtyu të përfytyroj se si do të dukej periudha kur nuk do të kishte korrupsion – dhe për pak minuta, u ndjeva më mirë”, ishte komenti i njërës nga vizitorët.
“Ideja e krijimit të një situate imagjinare dhe satirike si muzeu, është që të nxisim reagime nga qytetarët, që ata të kërkojnë llogaridhënie nga udhëheqësit e tyre, që të luftojnë këtë problem që po na e vështirëson jetën tonë çdo ditë e më shumë. Pse jo, edhe të krijojmë një situatë ku njëmend korrupsioni është pjesë e së kaluarës tonë”, shprehet Vigan Hoxha, nga UNDP, një nga krijuesit e konceptit të muzeut.
Muzeu i Korrupsionit do të jetë i hapur deri më 13 gusht dhe është pjesë e bashkëpunimit të Projektit Anti-Korrupsion të UNDP-së dhe DokuFest-it.
Projekti Anti-Korrupsion i UNDP-së (SAEK) mbështetet nga Zyra zvicerane për Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA).