Haradinaj: Për të drejtën tonë nuk kemi pse të bisedojmë me Serbinë

Prishtinë | 18 Qer 2019 | 13:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit,  Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor për dëshmorin Basri Canolli – Shpendi në fshatin Marec, të komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj ka thënë se Basriu ishte një ishte një prej atyre trimave të pashoq dhe guximtar, çdoherë i pari në rreshtin e parë të frontit, djalë i një familje atdhetare të respektuar shqiptare, të përcaktuar qysh herët në rrugën për liri.

Por, edhe aty zgjodhi të flas për dialogun me Serbinë.

Haradinaj para të pranishmëve tha se të gjithë duhet të ruajmë të drejtën tonë dhe jo kompetencat të ja japim dikujt tjetër ose kojshisë.

Tregoi për punën e tij që nga mandati si kryeministër i vendit për ta drejtuar vendin.

“Kur e ndërron drejtimin, e nganjëherë duhet me e ndërru drejtimin se vërtetohet pas një kohe se ose nuk po mbërrin kah je nisë ose e ki rrugën më të vështirë se një tjetër. Me marrjen e detyrës si kryetar i Qeverisë jam detyruar me ndërru pak drejtimin e Kosovës. Pas një kohe që iu kem besu punët tona të Kosovës, fatin tonë, disa mekanizma ndërkombëtare, e kemi kuptuar se nuk është duke shkuar si duhet. Prandaj jemi detyruar me drejtu drejtimin e vendit tonë”.

“…Ka qenë gabim që Kosova krejt të drejtën e vet për liri dhe që jemi pronarë të kësaj toke, ka qenë gabim këtë të drejtë tonën ta çojmë në tavolinë të negociatave. Sikur të kishim dashtë me negociata e me dakordim të kojshisë atëherë nuk kemi pasë nevojë me ndërru drejtimit kur filloi lufta, kemi pasë rezistencë paqësore, por më së shumti në 98 jemi detyruar me drejtu drejtimin. Nga momenti që ia kemi dhënë vetes luftën tash është gabim me u kthy edhe një herë me u kthy para luftës për atë që e kemi fitu. Ne mund t’ia japim tavolinës ato që nuk i kemi fitu, por ato që i kemi fitu, nuk ka kuptim një tavolinë ku kojshia është hisenik me vendosë për ty”.

“…Me ia dhënë një tavoline që është ad hoc, që është e përkohshme, improvizim me ia dhënë të drejtën tënde ka qenë gabim. Unë jam detyru, pa e mbajt flamurin shumë lart, por me kujdes, me respekt mos me i ofendu sidomos miqtë e Kosovës, por me e drejtu pak drejtimin e këtij vendi, pra do punë të Kosovës me i bë në Kosovë.  Jam detyru me drejtu drejtimin e vendit tonë dhe e kam bë me kujdes, pa u thy me miqtë, pa u thy me aleatë dhe pa e bë ndonjë lazdrim”.

Kryeministri Haradinaj tha se pavarësisht kritikave do të vazhdojnë të punojnë për të drejtën e tyre.

“…Do të vazhdojnë kapak me na bërtit, por është normal se ende nuk të kanë pranu në sofër taman. Nëse shkojmë me përshtatje nuk ish dashtë me luhat, nuk ish dashtë me qitë territor etj. Ne kemi shku kah e drejta jonë, do të vazhdojmë. Kanë me na dhënë të drejtën, nëse jemi të vendosur, nëse fillojmë të bëjmë pazar me të drejtën tonë mbesim pa të drejtën tonë”, tha ai.

Ish komandanti i brigadës 153,  Fatmir Sopi, tha se Shpendi me shokë kishte bërë që rruga Prishtinë-Leskovc që kalonte nëpër Grashticë, Prapashticë, Keqekollë të bëhej varri më i madh i hordhisë serbe dhe digë e pakalueshme për ta.

“ Kudo në aksione Shpendi ishte i pari, topi i tij i dorës ishte i pamëshirshëm ndaj barbarëve serbë, ai merrte hak për të gjithë ato masakra ç’njerëzore që kishin bërë kriminelët serbë mbi popullatën e pafajshme të Malësisë së Gollakut. Me rënien e Shpendit, Brigada 153 e UCK dhe UCK humbi njërin nga ushtarët më të denjë, të guximshëm, fjalë pak por me zemër luani”, tha ai.

Nga Brigada 153, foli  Adem Shehu. Ai tha se Basriu ka diplomën e pavdekshmërisë të heroit të Kosovës.

“Unë si vullnetar nga Tirana njoha traditat më të mira të Kosovës sime, njoha njerëzit që u rritën në luftë, njoha komandantët e mi, popullin e Kosovës dhe në veçanti të Gollakut. Do jem mirënjohës për gjithçka bëmë për lirinë e Kosovës sepse pritëm e përcollëm vëllezërit tanë që erdhën nga vise të tjera dhe u sistemuan në shtëpitë e qytetarëve të Gollakut. Njoha edhe Shpendin ku në shtëpinë e tij strehoheshin mbi 40 vetë. Gjeneralët e mi, Basria fituan dhe kanë diplomën e luftës, Basria ka diplomën e pavdekshmërisë të heroit të Kosovës, Basria mbetet sinonim i lirisë, i shpirtit tim”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Ish- komandanti i Zonës Operative Karadakut, Ahmet Isufi, tha se Basriu ishte komandat i gjithë komandantëve.

“Shpendi ishte propaganduesi, furnizuesi, aksionuesi dhe luftëtari i frontit dhe komandanti i gjithë komandantëve. Shpendi nuk ka ardhë rastësisht në jetë në këtë mënyrë me këto angazhime sepse tradita familjare, e kaluara tragjike dhe krenare që ka ndodhë në këtë pjesë ka bërë që Shpendi të mos jetë ndryshe veç një hero për luftërat që ka zhvillu”, tha ai.

Të ngjashme