​Zyra e Prokurorit të Specializuar jep detaje të reja për arrestimin e Nasim Haradinajt

Prishtinë | 26 Sht 2020 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dhënë detaje për arrestimin e nënkryetarit të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinajt.

Përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Haradinaj u arrestua në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Nasim Haradinaj u arrestua dje në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se “Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në”.

Ndryshe, dje hetuesit e Speciales kanë kryer një bastisje në zyrat e OVL-UÇK-së, ku më pas kanë arrestuar kryetarin e kësaj organizate Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.

Të ngjashme