Aksioni “Brezovica”, arrestohet ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit

Prishtinë | 06 Jan 2022 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë arrestuar në aksionin e sotëm të Policisë të zhvilluar në disa lokacione në Kosovë.

Në mesin e të arrestuarve është kryeinspektori i MI-së, Bedri Halimi. Ndërsa, siç raporton Kallxo.com zyrtari i dytë i arrestuar është ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku.

Sipas tyre, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka lëshuar vendim për ndalim 48 orësh për ish-sekretarin e Ministrisë së Mjedisit dhe për kryeinspektorin Bedri Halimi, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

Shtatë persona janë arrestuar në aksionin e sotëm që u zhvillua në disa lokacione në Kosovë, duke e çuar kështu në 17 numrin e të arrestuarve në rastin e njohur si “Brezovica”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni i sotëm është vazhdimësi i atij të nisur më 21 dhjetor të vitit të kaluar për dyshime për ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës së disa zyrtarëve, lidhur me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.

Në aksionin e mbajtur më 21 dhjetor në disa lokacione, në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish kryetari i Shtërpcës Bratislav Nikoliq si dhe disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë të firmave.

Nga ky aksion i mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar janë vënë në pranga 10 persona, teksa janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera si dollarë, franga zvicerane, lekë etj. Përveç kësaj janë sekuestruar edhe 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri e telefona.

10 të arrestuarve më 21 dhjetor u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme