Angazhimi i asistentëve privatë dhe vullnetarë për fëmijët me nevoja të veçanta, në kundërshtim me ligjin

Prishtinë | 14 Pri 2019 | 08:16 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asistimi i vullnetarëve në shkollat e rregullta për fëmijët me nevoja të veçanta është parë si një punë mjaftë lehtësuese si për familjet ashtu edhe për vetë fëmijët që kanë nevojë për një asistim të tillë.

Edhe pse është e nevojshme të ketë asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, Ligji i Arsimit Parauniversitar e ndalon një gjë të tillë.

Puna e këtyre vullnetarëve nëpër shkolla është në kundërshtim me këtë ligj dhe kjo po kalohet në heshtje, kështu tha në një intervistë për Ekonomia Online, drejtoresha Ekzekutive e Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri.

Beqiri tha se asistentët të cilët janë në shkolla, si ata privat të paguar nga prindërit apo edhe vullnetarët, janë duke kryer punën në kundërshtim me Ligjin Parauniversitar, sepse ky ligj ndalon angazhimin e personave privat brenda shkollave të rregullta.

“Ne kemi Ligjin për Arsimin Parauniversitar, tani edhe nëse thirremi tek ky ligj, ky ligj e ndalon angazhimin e personave privat brenda shkollave të rregullta, ne shumë shpesh e kemi potencuar sepse prindërit që i kanë fëmijët në shkolla të rregullta, shumica ata që kanë qëndruar më mirë financiarisht kanë angazhuar asistent privat ku janë paguar nga prindërit që është barrë e madhe për ta, ndërsa ligji në anën tjetër i cili ndalon angazhimin e personave privat sepse në këtë rast këta janë persona privat brenda shkollave publike”, tha Beqiri.

Ajo tha se angazhimi i vullnetarëve në shkolla është një e mirë që ata mund të marrin eksperiencë, mirëpo sipas saj asistentët duhet të jenë profesionistë dhe jo studentë të padiplomuar, sepse fëmijët me nevoja të veçanta ende nuk dinë shkrim e lexim e krejt kjo është si pasoj e mungesës profesionale në shkollat që ata vijojnë mësimet.

“Nuk është e rëndësishme vetëm t’i dërgojmë fëmijët në shkolla dhe të thirremi në numër të fëmijëve apo vullnetarëve, por është e rëndësishme që këta fëmijë të kenë shërbime profesionale dhe të kemi kualitet, mos të kemi vetëm kuantitet brenda shkollave. Shumica e fëmijëve ende kanë problem me shkrim-lexim, kjo është si pasoj sepse në ato shkolla ku janë fëmijët nuk kanë pasur mbështetje profesionale dhe kjo është rezultat i gjithë kësaj gjendje në të cilën jemi ne”, tha ajo.

“…Është krijuar një komoditet tek institucionet përgjegjëse që askush nuk e ka ngit këtë çështje që është në kundërshtim me ligjin për arsimin parauniversitar që të kemi persona privat brenda shkollave publike, por asnjëherë nuk është nda një buxhet i mjaftueshëm që këta fëmijë të kenë mbështetje profesionale brenda shkollave. Ky proces po kalon në heshtje dhe nuk paraqitet si problem, që në këtë rast me angazhimin e asistentëve qoftë vullnetarë apo asistentëve me pagesë, ne jemi në kundërshtim me ligjin e arsimit parauniversitar”, tha ajo.

Asamblistja nga radhët e LVV-së në Komunën e Prishtinës, Leonora Shabani-Bajraktari, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se iniciativa e saj për të angazhuar asistentë vullnetar në shkollat e rregullta ka sjellë shumë benefite, si tek fëmijët me nevoja të veçanta, ashtu edhe për prindërit të cilët nuk kanë pasur mundësinë të angazhojnë asistent privat për fëmijët e tyre, pasi që kostoja për t’i paguar këta asistent ka qenë e papërballueshme për shumicën e prindërve.

“Kjo është iniciativë e filluar nga shtatori i vitit të kaluar nga fillimi i vitit shkollor sepse nënat që kanë fëmijë me nevoja të veçanta ta kenë këtë ndihmë. Sipas ministrisë së Arsimit është ndarë buxheti për 12 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta dhe komuna e Prishtinës ende nuk ka shpallur asnjë konkurs dhe për fat të keq fëmijët me nevoja të veçanta gjithmonë neglizhohen. Në komunën e Prishtinës do duhej të punësoheshin 12 asistentë dhe për fat të keq konkursi ende nuk është hap”, tha Shabani-Bajraktari.

Ajo tha se deri më tani janë angazhuar 40 vullnetarë që i asistojnë fëmijëve me aftësi të veçanta, ndërsa pas përfundimit të gjysmë-vjetorit, këta asistentë marrin një certifikatë apo letër referencë nga drejtori i shkollës që asistenti është i angazhuar. Ajo tha se studentët të cilat kanë mundësi të jenë vullnetarë duhet të jenë studentë të edukimit, psikologjisë, logopedisë dhe të punës sociale dhe se kjo iniciativë është shpërndarë në komuna tjera, duke filluar nga Prishtina, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan etj.

“Të gjitha nënat janë të kënaqura me punën e tyre, më së shumti u është lehtësuar prindërve që kanë fëmijë me nevoja të veçanta e nuk kanë mundësi me pagu asistent, këto raste janë përzgjedh për rastet që familjet nuk i kanë kushtet ekonomike për të paguar asistentin, e në shkollat tona për fëmijët me nevoja të veçanta asistentin e paguajnë prindërit gjë që ishte dashur ta bëj shteti një gjë të tillë”, Shabani-Bajraktari.

Ajo tha se asistentët janë mirëpritur edhe nga stafi i shkollave, por përfituesit më të mëdhenj mbesin fëmijët që kanë nevojë për asistim.

Të ngjashme