Asnjë zyrtar nuk është dënuar për pirje duhani në institucione, Zemaj paralajmëron këshill për kontroll

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Asnjë kërkesë për inspektim të hapësirave lidhur me pirjen e duhanit nuk është dorëzuar në Inspektoratin e Punës.

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të këtij inspektorati, Agim Millaku, ka thënë se deri më tani asnjë person zyrtar nuk është gjobitur për konsum të duhanit brenda hapësirave të punës.

Për shkeljen e Ligjit për kontrollin e duhanit nga ata që e miratuan, javë më parë, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka drejtuar një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Kërkesës së saj, këtë të premte, i është përgjigjur i pari i kësaj Ministrie, Armend Zemaj.

Në letrën që ka siguruar KOHA, Zemaj ka paralajmëruar formimin e një këshilli ndërministror për kontroll të duhanit.

Më 5 qershor, kryeparlamentarja Osmani, pasi kishte vërejtur disa deputetë duke pirë duhan brenda hapësirave të Kuvendit, kishte kërkuar angazhimin e Inspektoratit për mbikëqyrjen e Ligjit të duhanit.

Sipas nenit 12 të Ligjit për kontrollin e duhanit, paragrafi 1.5, thuhet se Organi i Punësimit i zbret nga paga neto mujore prej 50 euro personit fizik që pi duhan në vendin e punës, në bazë të raportimit paraprak të personit gjegjës.

Të ngjashme