Avokatët e shqetësuar, thonë se shpesh herë gjyqtarët e marrin rolin e prokurorit

Prishtinë | 20 Gus 2022 | 07:53 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokatët në Kosovë shprehen të brengosur, pasi thonë se në shumë raste gjyqtarët në Kosovë e luajnë rolin e prokurorit, raporton Ekonomia Online.

Ata kanë vënë në pikëpyetje cilësinë e aktakuzave të ngritura, mënyrën se si prokurorët mbrojnë lëndët në gjykatë, mungesën e provave në aktakuza, dyshimet nëse prokurorët specialë dinë të drejtojnë ndonjë hetim kompleks, mungesën e prokurorëve në hetime etj.

Avokati Skënder Musa, thotë se rastet e tilla ka më shumë jashtë Prishtinës. E gjithë kjo sipas tij po bëhet për shkak të ngritjes së aktakuzës së dobët nga ana e prokurorit.

“Ajo çka është brengosëse në këtë raport është se Gjykatat në Kosovë e humbin shpesh herë objektivitetin dhe për shkak të akuzave të dobëta, ka raste kur gjyqtari e merr rolin e prokurorit sesa atë objektiv e neutral që duhet të jetë i pavarur. Ka shumë këso raste dhe për fat të keq në gjitha Gjykatat, e sidomos jashtë territorit të Prishtinës. Mirëpo ka raste kur Gjykata e humb objektivitetin për shkak se prokurori ka përgatit një aktakuzë joprofesionalisht të duhur apo të dobët dhe kur dështon prokurori në marrjen në pyetje të dëshmitarëve apo rrezikon në humbje të aktakuzës, shihet joobjektiviteti i gjyqtarit dhe përpiqet me i ndihmu prokurorit dhe që me ligj e me Kushtetutë është i ndaluar”, u shpreh Musa. 

Tutje Musa thotë se në shumë raste, prokurorët qëndrojnë në zyre, ndërsa hetimet i kryejnë policia.

“Natyrisht që prokurorët janë ata që ligji i parasheh me i udhëheq hetimet dhe në Kosovë në shumicën e raste hetimet i kryejnë policia dhe prokurorët rrinë në zyre. Faji për akuza të dobëta është kryekëput i prokurorit të lëndës, sepse prokurori nëse e sheh që nuk ka prova, nuk duhet të ngrisë aktakuzë fare por duhet të marrë aktvendim për pushim të hetimeve që në Kosovë ndodh rrallë që një prokuror të marrë aktvendim për pushim të hetimeve”, u shpreh ai.

Ndërsa avokati tjetër, Arbër Jashari, thotë për Ekonomia Online se prokurorët në Kosovë janë të dhënë pas shifrave e assesi për përmbajtje. Thotë se ka raste kur aktakuza nuk përmban as elementet kryesore.

“Parimisht mund të them se Prokuroritë shpesh janë të dhëna pas shifrave dhe statistikave dhe jo pas cilësisë, pra me rëndësi për Prokurorinë është që në fund të muajit të dalë dhe të thotë kemi ngritur kaq aktakuza, e jo çfarë përmbajnë ato aktakuza. Në praktikë kemi raste kur një aktakuzë e Prokurorisë nuk i përmban as elementet kryesore të cilat janë të parapara me ligj, janë shpesh të pastrukturuara mirë, nuk janë një analizë të thuktë mbi gjendjen faktike, janë të ndërtuara mbi shabllone dhe nuk paraqesin ndonjë akt të vlefshëm formalo-juridik mbi të cilën mundet me u zhvillu procedura penale”.

“Edhe Gjykatat janë shumë liberale këtë aspekt, duke qenë se shpesh lejojnë ose japin dritë t gjelbër të kalojë aktakuza e cila nuk do duhej të kalonte, sepse kodi i procedurës penale e parasheh që në fazën e shqyrtimit fillestar e ka dhënë mundësinë që qysh në start nëse një aktakuzë nuk është e mbështetur në prova, atëherë ajo aktakuzë të rrëzohet dhe çështja mos të vazhdojë më tutje. Mirëpo në praktikë, ndodh rrallë që një aktakuzë të rrëzohet”, u shpreh Jashari.

Të ngjashme