Avokatit i Popullit: Ministria e Punës shkeli të drejtat e njeriut

Prishtinë | 18 Tet 2016 | 16:27 | Nga

Avokati i Popullit ka publikuar sot Raportin me rekomandime përkitazi me mungesën e mjeteve juridike efektive, i cili bazohet në ankesë individuale lidhur me refuzimin e kërkesës për njohjen e pensionit familjar të viktimës civile të luftës nga data e aplikimit.

Ky Raport evidenton disa nga mangësitë e veprimeve institucionale në trajtimin e rastit në fjalë, si dhe tërheqë vëmendjen e Departamentit për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile të Luftës (DFDILVC), respektivisht Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me ofrimin e mundësive të garantuara ligjore dhe kushtetuese për mjete juridike efektive.

Në bazë të dëshmive të paraqitura dhe fakteve të mbledhura, si dhe akteve ligjore relevante, Avokati i Popullit konstaton se ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe se, DFDILVC, ka marrë vendime të pabazuara dhe të kundërligjshme, me të cilat ia ka refuzuar të drejtën në pension familjar palës, pavarësisht se gjykatat kishin gjetur se vendimet administrative të DFDILVC ishin të pabazuara.

Avokati i Popullit konsideron se Gjykatat në asnjërën nga procedurat e saja, në këtë rast, nuk janë lëshuar në zbatim të të drejtës materiale. Ky defekt i ka përcjellë gjykatat në kontestet administrative në mënyrë sistematike, pasi ato vetëm kishin konstatuar shkeljet ligjore në vendimet e DFDILVC-së, por nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ndryshuar vendimin e DFDILVC me aktgjykim, në pajtim me Ligjin për Konfliktet Administrative dhe në këtë mënyrë për të eliminuar shkeljet dhe për të kompensuar palën e dëmtuar. Gjykata, duke e kthyer çështjen te organi administrativ për rivendosje, ka bërë që aktgjykimet të jenë joefikase dhe drejtësia të mos vendoset në vendin e duhur.

Bazuar në analizën dhe rrethanat e rastit si dhe garancitë nga instrumentet relevante ligjore, Avokati i Popullit, nëpërmjet Raportit në fjalë i ka rekomanduar MPMS-së, që në pajtim me kompetencat dhe autorizimet që burojnë nga ligji, t’i trajtojnë kërkesat dhe ankesat e qytetarëve mbi bazën e dëshmive të paraqitura dhe t`ju kushtohet kujdes i posaçëm aktgjykimeve të gjykatave.

Ndërkaq, Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, Avokati i Populli i ka rekomanduar që në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme që në padi për konflikt administrativ përveç shkeljeve procedurale të vendoset edhe në çështje meritore të rasteve.
Raporti me rekomandime, në formën e tij të plotë, gjendet i hapur për publikun në ëeb faqen zyrtare të IAP-së, si dhe u shpërndahet mediave.

Të ngjashme