BE-ja e zhgënjyer me vendimin për importimin e veturave të vjetra

Prishtinë | 17 Tet 2018 | 07:26 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kundërshtuar vendimin e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik që të rrisë mbi 10 vjet vjetërsinë e veturave të importuara, shkruan sot Koha Ditore. Zyra e BE-së ka shprehur zhgënjimin për vendimin e deputetëve që veturat e vjetra deri në 15 vjet të lejohen të importohen në Kosovë, duke thënë se Projektligji është në kundërshtim me ligjet e BE-së.

“Jemi të zhgënjyer me vendimin e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik për rritjen e vjetërsisë së veturave të importuara deri në 15 vjet, me gjithë shqetësimet që kemi ngritur në Komitetin për MSA-në javën e kaluar. Kjo lëvizje do të ndikonte drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është kundër synimeve të Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së. “Vendimi i Komisionit është kundër Ligjit për mbrojtjen e ajrit dhe është në kontradiktë me Rezolutën e Kuvendit për ndotje të ajrit që u votua në shkurtin e këtij viti, si prioritet i lartë në nivelin shtetëror”.

Pak kohë pas publikimit të qëndrimit të Zyrës së BE-së në Prishtinë ka reaguar ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt. Ai i është bashkuar kundërshtimit të kësaj zyre ndaj Projektligjit që mundëson importimin e veturave të vjetra deri në 15 vjet. Duke cituar reagimin e Zyrës së BE-së në Twitter, Heldt ka thënë se Kosova do të përmirësohej me vetura moderne, madje ka këshilluar që të kalohet në vetura hibride dhe elektrike.

“I bashkohem zhgënjimit. Kosova do të ishte më mirë me vetura moderne, madje të synonte veturat hibride apo elektrike”, ka shkruar Heldt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme