BIK-u pezullon faljet në xhami, jep edhe disa rekomandime

Prishtinë | 14 Mar 2020 | 16:53 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka pezulluar përkohësisht faljen e organizuar të namazeve ditore dhe namazit të xhumasë shkaku i rrethanave të krijuara me përhapjen e rasteve me Coronavirus.

Kreu i BIK-ut, Naim Tërnave tha se është obligim fetar respektimi me përpikëri i të gjitha vendimeve, masave dhe rekomandimeve të dala nga Institucionet kompetente të Republikës së Kosovës në parandalimin e përhapjes së Virusit COVID 19.

Tërnava tha se përhapja e dezinformatave duke shkaktuar shqetësim e panik të panevojshme te qytetarët, si dhe ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe medikamenteve në kohë krizash, janë të ndaluara fetarisht.

“Bashkësia Islame e Kosovës si në të kaluarën edhe tani do të jetë gjithnjë pranë qytetarëve, dhe fton besimtarët për më shumë solidaritet. Bashkësia Islame e Kosovës në bazë të rrethanave të reja eventuale në të ardhmen do ta mbajë opinionin të informuar vazhdimisht”, tha ai.

Në mesin e masave tjera të ndërmarra janë:

Pezullohet procesi mësimor në të gjitha Institucionet tona arsimore-fetare, mësim-besimi në të gjitha xhamitë dhe mektebet si dhe puna në të gjitha konviktet e Bashkësisë Islame të Kosovës;

Anulohet përkohësisht organizimi i të ligjëratave, tribunave, seminareve dhe takimeve të ndryshme me xhemat;

Pezullohet organizimi i Umres, deri në një vendim tjetër;

Të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve arsimore (FSI, Medrese, konvikte); objekteve administrative të Bashkësisë Islame të Kosovës; si dhe objektet fetare (xhamitë, mesxhidet, mektebet, abdes’hanet, gusulhanet, dhe objektet tjera përcjellëse);

Krahas kësaj, BIK-u po ashtu ka rekomanduar:

Të pezullohen përkohësisht të gjitha organizimet me rastin e ngushëllimeve–të pameve, ndërsa ceremonia e varrimit të organizohet nga rrethi sa më i ngushtë familjarë;

Të shtyhen ceremonitë fetare e familjare të parapara si Synetitë, Mevludet, Qelimet, Fejesat, Dasmat, etj;

Të vazhdohet me inkurajimin e besimtarëve që të shtojnë kujdesin ndaj pastërtisë duke respektuar parimet fetare dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.

Të ngjashme