Braathu: Sulmet ndaj gazetarëve të marrin dënimin e merituar

Prishtinë | 14 Shk 2017 | 10:35 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, duke folur në konferencën për sigurinë e gazetarëve tha se kjo fatkeqësisht është temë aktuale.

Ai ka folur për kërcënimet që u bëhen gazetarëve ndaj ushtrimit të profesionit të tyre, raporton Ekonomia Online.

“50 raste të sulmit të gazetarëve kanë ndodhur, si përpjekje për të ushtruar presion te transmetuesi publik”, tha Braathu. Ai përmendi edhe rastin e Leonard Kërçukut.

” Të gjithë gazetarët të qëndrojnë së bashku në trajtimin e të gjitha këtyre rreziqeve. Kemi regjistra të 13 gazetarëve të vrarë shumë raste nuk janë hetuar fare. Këto raste po lihen në harresë pa trajtim, pa ndjekje penale. Nga këto 13 raste gjashtë kanë qenë ndaj shqiptarëve e shtatë ndaj serbëve. Drejtësia nuk është çështje etnike është e parimit të drejtësisë”, theksoi ai.

Braathu shpreson se të gjitha këto raste do ta marrin dënimin që meritojnë. Sipas tij, kjo s’është vetëm çështje e drejtësisë, por ka të bëjë me dinjitetin e njeriut.

“Misioni i OSBE-së ka raportuar për lirinë e gazetarëve dhe ndjekja e kryerësve të veprave të ndryshme është problem i gazetarëve”, ka thënë ai.

Braathu tha se nevojitet qasje sistematike e sulmeve ndaj gazetarëve. OSBE-ja sipas tij, ka për qëllim të fillojë një fushatë për punën e gazetarëve. “Gazetarët janë dera drejt transparencës dhe llogaridhënies. Informata që ata japin do të ishte një katalizator për publikun.

Pfandler: Kërcënimet ndaj gazetarëve të dëmshme për gazetarinë

Ndërsa, ambasadori i Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler, tha se Austria do ta mbështesë sigurinë e gazetarëve përmes fushatës që po e bën misioni i OSBE-së në Kosovë. Ai ka falënderuar OSBE-në për punën që po e bën në Kosovë, e veçanërisht në fushën e lirisë së medieve.

“Liria e medies luan rol të rëndësishëm në çdo shoqëri të lirë, të hapur dhe demokratike. Përmes ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit media është shtylla e katërt e demokracisë andaj është përgjegjësi e autoriteteve që të adresojnë dhe të hetojnë të gjitha rastet e raportuara të sulmeve dhe të kërcënimeve kundër gazetarëve. Sulmet e tilla dhe kërcënimet e tilla janë shumë të dëmshme për profesionin e gazetarisë. Njëkohësisht gazetarët duhet të respektojnë parimet e gazetarisë profesionale dhe etike. Është vendimtare që gazetarët ta bëjnë punën e tyre me përgjegjësi”, tha ai.

Tomas Gnocchi, nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë deklaroi se BE-ja po i jep rëndësi të madhe lirisë së shprehjes.

“Siguria për gazetarët është parakusht për gazetarët në çdo vend të botës, por edhe për Kosovën në mënyrë që ata të mund ta kryejnë profesionin e tyre pa kërcënime dhe frikësime në bërjen e punës së tyre. Në Kosovë situata sot ndonëse është shumë më mirë se vitet e konfliktit dhe menjëherë pas saj edhe sot shohim raste kur gazetarët ndalohen që të mos marrin pjesë në aktivitete të ndryshme.  Ata marrin kërcënime për raportim të rasteve të korrupsionit dhe liria e shprehjes dhe medieve janë të përfshira në Kushtetutë por kjo nuk mjafton”, tha ai.

Papadopoulou: Media të lira, parakusht për qeverisje të mirë

Kurse, shefja e EULEX-it, në Kosovë Alexandra Papadopoulou, tha se gazetaria është funksion publik dhe bëhet më e rëndësishme gjatë konfliktit. Sipas saj, janë 1 200 gazetarë që janë vrarë dhe zhdukur nëpër botë dhe se në mesin e tyre ka gazetarë serbë e shqiptarë, duke pohuar se është obligim i shoqërisë që ta zbulojnë se çfarë ka ndodhur me ta pasi që familjet dhe publiku janë të interesuar të dinë për ta.

“Janë 11 gazetarë që janë zhdukur në këto kohëra të vështira gjatë viteve 1998-99, në mesin e tyre janë zhdukur tre që kanë punuar në Radio Kosovë. Personat bazohen në media për të marrë vendime të rëndësishme për ta. Liria e shprehjes është parakusht i rëndësishëm që media ta merr rolin e kontrolluesit të autoriteteve”.

“Media të lira dhe pluraslite të pavarura është parakusht i rëndësishëm për një qeverisje të mirë. Masat e drejta të gazetarëve për të treguar ndikim për të hulumtuar kjo është gjithashtu një matës i lirisë tonë. Media sot është forcë e pavarur në shoqërinë tonë”, tha ajo.

Të ngjashme