Buxheti i ultë dhe mungesa e objektit, sfida për RTK-në

Prishtinë | 02 Maj 2019 | 11:32 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka shqyrtuar Raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, në të cilin raportoi kryetarja e bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, raporton Ekonomia Online.

Megjithë vështirësitë që kanë pasur, Maliqi e quajti vitin 2018 si të suksesshëm për RTK-në.

Ajo theksoi dy nga problemet kryesore, atë të buxhetit të ndarë për vitin 2018, të cilin e vlerësoi të ulët dhe çështjen e objektit të RTK-së, për të cilin tha se nuk po marrin mbështetje konkrete.

“RTK në 2018 bazuar në rregulloret dhe statuset ka vazhduar t’i kryejë të gjitha vendimet. RTK përkundër ambientit të vështirë për ta ushtruar veprimtarinë duke marrë parasysh gjendjen financiare dhe mjedisin e papërshtatshëm për punë ka arritur ta mbajë shkallën e shikueshmërisë. Ka investuar në programin e vet, ka arritur të jetë e pranishme te të gjitha kategoritë e shoqërisë pa asnjë dallim. Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese vlen të theksohet. Janë prodhuar edhe programe të tjera për kulturën. Është arritur që të investohet edhe në përmirësimin e teknologjisë dhe qasjen sa më të lehtë të shikuesve në programe. Prandaj RTK padyshim disponon përbërje më të avancuar duke tërhequr më së shumti shikues. Përkushtimi i gazetarëve e redaktorëve ka bërë që RTK 3 ta shumëfishojë prodhimin. RTK 3 tashmë ka 16 orë program në ditë”,  shpjegoi ajo.

Ajo foli edhe për buxhetin, duke thënë se edhe pse i mangët kanë arritur të shmangin humbjet. Ndërsa theksoi mungesën e objektit për mediumin publik.

“Buxheti i ndarë për RTK në 2018 ishte 11.2 milionë euro dhe një pjesë nga reklamat. Ky vit është mbyllur pa humbje pavarësisht buxhetit të vogël. Buxheti është menaxhuar në mënyrën e duhur por mungesa e buxhetit adekuat që do ti plotësonte nevojat e RTK ka bërë që shumë projekte të mbesin pa u realizuar. Problem tjetër po aq i rëndësishëm sa financimi është çështja e objektit të rtk. Deri më tani nuk ka vullnet për mbështetje konkrete për objektin e ri”, tha ajo.

Ndërkaq, tjetër problem ajo tha se është edhe sistemi analog me të cilin operon televizioni dhe pamundësia për të kaluar në digjital për shkak të kostos së madhe dhe buxhetit të vogël, sipas saj.

Rasim Selmanaj nga AAK, tha se nëse duan të bëjnë një televizion të pavarur, duhet ta kalojnë ligjin për RTK-në, raporton EO.

“Nëse duam me bë Televizion të pavarur duhet ta kalojmë ligjin e RTK-së”.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani, tha se RTK-ja duhet të dalë prej garës me mediumet e tjera për qëllime të klikimeve.

“RTK-ja ka ra në grackën e garës së padrejtë me shikime dhe klikime në raport me mediumet tjera. RTK si televizion publik duhet me plotësua misionin e vet për shërbim të publikut dhe jo të garës për shikime e klikime. Se programet nuk janë ato që kërkojmë ne si shikues është thënë disa herë, idea është që mediumi publik të jetë më i pasuruar me tema cilësore. RTK është e mbingarkuar me emisione shumë, shpesh herë edhe aspak kontribuuese në shoqëri në mungesë apo në dëm të programeve tjera që ne po synojmë”, tha deputeti Rrahmani.

Ai shtoi se është shkelur ligji në përzgjedhjen e drejtorit të bordit të RTK-së.

“Ne mendojmë se është shkelë ligji në përzgjedhjen e drejtorit të bordit. Është dashtë të votohet 2/3 e të gjithë anëtarëve e jo të të pranishmëve. Kundërshtimi është se është shkelë ligji dhe nuk është respektu 2/3 e votave”.

Ndërsa, Albert Kinolli nga 6+ tha se televizioni publik i Kosovës është shembull në rajon për respektimin e të drejtave të komuniteteve.

“Mendoj se jemi rast i rrallë dhe unik në rajon dhe Evropë se si respektohen të drejtat e komuniteteve pakicë”.

Komisioni, me 5 vota për, një kundër miratoi Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media.

Të ngjashme