Dënohen me 10 vjet burg dhe me gjobë dy të akuzuarit për grabitjen e 50 mijë eurove

Prishtinë | 15 Nën 2019 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Të akuzuarit për grabitjen e 50 mijë eurove në Istog, Xhavit Berisha dhe Exhevit Zekiq, janë dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Pejë.

Sipas aktgjykimit të shpallur, të premten, nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, i akuzuari Exhevit Zekiq, është dënuar me shtatë vjet burg dhe 1000 euro gjobë.

Kurse, i akuzuari Xhavit Berisha është dënuar me tre vjet burgim dhe 500 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, dy të akuzuarit, dënimin me burg obligohen ta vuajnë pasi vendimi të merr formën e prerë, ndërsa gjobën duhet ta paguajnë brenda afatit prej 30 ditësh.

Ndërsa, pala e dëmtuar familja Shoshi, është udhëzuar në kontest civil për kërkesën pasurore juridike.

Në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur më 29 janar 2019, të pandehurit veç e veç, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin kryer grabitjen në shtëpinë e të dëmtuarve.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 14 dhjetor 2018, Xhavit Berisha dhe Exhevit Zekiqi, akuzohen se më 23 korrik 2018, rreth orës 11:30, në fshatin Kashicë të Istogut, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, kishin kryer grabitjen nën kanosje serioze ndaj të dëmtuarve Ilirada Shoshi dhe Edona Lajqi.

Sipas aktakuzës, pasi të pandehurit sigurohen se meshkujt kanë dalë nga shtëpia, shkojnë tek shtëpia e të dëmtuarit Agim Shoshi dhe i bien ziles së derës së shtëpisë.

Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Ilirida Shoshi e hapë derën, i pandehuri Xhavit Berisha ia drejton armën dhe e shtynë derën me forcë dhe futet brenda, duke hyrë pas tij edhe i pandehuri Exhevit Zekiqi, me sëpatë në dorë.

I pandehuri Berisha, më pas e kap të dëmtuarën për flokë dhe nën drejtimin e armës e detyron të shkojë t’ia jep paratë e prindërve në shumë prej 50 mijë euro, gjersa i pandehuri Zekiqi, me sëpatë në dorë e kërcënon të dëmtuarën Lajqi, se do tua heq kokën asaj dhe fëmijës së saj nëntë muajsh, dhe ia merr një orë dore dhe dy celularë të tipit “Iphone 6” dhe “Iphone 7”, në vlerë prej 1.800 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme