Dy të akuzuarit pranojnë fajësinë për dëmtimin e objektit të Qeverisë, i treti deklarohet i pafajshëm

Prishtinë | 11 Nën 2021 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Fidan Hiseni dhe Lumni Salihi kanë pranuar fajësinë  nën akuzën se më 2016 morën pjesë në turmën para objektit të Qeverisë dhe me sjellje huligane kanë hedhur gurë mjete piroteknike dhe koktej molotovi, duke dëmtuar objektin e Qeverisë së Kosovës, zyrtarët policorë, qytetarë e prona private.

Një deklarim të tillë të akuzuarit Hiseni dhe Salihi e kanë dhënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arianit Salihu, të mërkurën në seancën fillestare.

Ndërsa, i akuzuari Besnik Ruhani është deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Hiseni dhe Salihi nuk e ka kundërshtuar prokurori Salihu, të cilin më pas gjykatësi Adnan Kamberi e ka aprovuar.

Po ashtu, prokurori Salihu dhe të akuzuarit u pajtuan që të bëhet veçimi i procedurës penale për të akuzuarit Hiseni dhe Salihi dhe të vazhdohet tutje procedura për të akuzuarin Ruhani.

Pas kësaj, gjykatësi Kamberi mori aktvendim për veçimin e procedurës penale ndaj të akuzuarve Hiseni dhe Salihi.

Tutje, Gjykatësi Kamberi tha se do të vazhdohet procedura penale për të akuzuarin Ruhani.

Kurse, i njëjti e ka njoftuar të akuzuarin Ruhani me të drejtën se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqes kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me kërkesat eventuale gjykatësi Kamberi tha se për to do të vendoset jashtë seance.

Në këtë seancë, pas kërkesës së gjykatësit Kamberi, prokurori Salihu ka bërë riformulimin e aktakuzës, ashtu që ka bërë ndarjen e dispozitave të aktakuzës për secilën vepër penale veç e veç.

Sipas prokurorit Salihu përshkrimi faktik që është në aktakuzë lidhur me cilësimin juridik se me këtë secili veç e veç ka kryer me veprim ideal veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Prokurori Salihu deklaroi se më datën, vendin dhe kohën e njëjtë si në pikën e 1 të kësaj aktakuze të pandehurit kanë hedhur gur, mjete piroteknike dhe koktej molotovi veprime dhe mjete këto të cila kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve pasi që sipas tij në protestën e organizuar nga partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, ka pasur numër të madh.

Tutje, prokurori Salihiu deklaroi se me këtë rast është shkaktuar dëm i konsiderueshëm në objektin e qeverisë së Kosovës, veturave zyrtare të RKS-së dhe pronave private, e me këtë sipas prokurorit Salihu të akuzuarit Hiseni, Salihi dhe Ruhani secili veç e veç ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365 paragrafi 1 i KPRK-së.

Shpallja e aktgjykimit për të akuzuarit Hiseni dhe Salihi do të bëhet më 11 nëntor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 15 shkurt 2018, Fidan Hiseni, Lumni Salihi dhe Besnik Ruhani, veç e veç po akuzohen se me datë 9 janar 2016, rreth orës 15:00, në Prishtinë, në sheshin “Nëna Terezë”, para objektit të Qeverisë, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe me veprimet e përbashkëta, pas përfundimit të fjalimit të përfaqësuesve të partive opozitare VV, AAK dhe Nisma ka eskaluar gjendja.

Më pas, sipas aktakuzës, në këtë turmë kanë marrë pjesë mijëra qytetarë dhe të akuzuarit, me sjellje huligane kanë hedhur gurë, mjete piroteknike dhe koktej molotovi, me ç’rast kanë shkaktuar dëme të mëdha në objektin e Qeverisë, si dhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm në drejtim të policisë, duke dëmtuar zyrtarë policorë, qytetarë dhe prona private.

Për këtë, Fidan Hiseni, Lumni Salihi dhe Besnik Ruhani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” nga neni 412, par.2 të Kodit Penal, që parasheh dënimin me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Si dhe për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365, par.1 të Kodit Penal, që parasheh dënimin me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme