Edhe zyrtarë të tjerë institucionalë të dyshuar për rastin e vajzës nga Drenasi

Prishtinë | 20 Shk 2019 | 11:15 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Komisionin për Punë të Brendshme ka raportuar kryeshefja Ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, raporton Ekonomia Online.

Aty nga Kelmendi pritej që të raportohet edhe për fazën e zhvillimeve të reja të rastin e vajzës së mitur nga Drenasi, e cila dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga profesori i saj dhe një zyrtar policor.

Por, Kelmendi tha se faza e hetimeve nuk duhet të diskutohet në një seancë publike pasi duhet të ruhet rëndësia e këtyre hetimeve.

Kryetari i komisionit parlamentar, Haxhi Shala, tha se kryeshefja duhet ta vlerësojë këtë rast dhe nëse mendon që është diçka qe s’duhet ta dijë opinioni, atëherë të mos jepen detaje. “Rasti ende është duke u hetuar kështu që nuk e kisha vlerësuar të flasim me seancë të hapur”, tha Shala.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, tha se nëse për këtë rast është folur në medie dhe gjithçka është publike atëherë në interes do të ishte që diskutimi të jetë i hapur.

“Ne e dimë që është rast i ndjeshëm, por mendoj që nuk është diçka për t’u fshehur tashmë. Në interes të publikut do ishte që të ishte seancë e hapur. Ne jemi deputetë, ne nuk ndërhyjmë në hetime. Por kur është folur në seancë e në medie, mendoj që nuk duhet ta mbajmë sekret”, tha Selimi.

Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se nëse kjo seancë dëmton hetimet atëherë të mbahet mbyllur.

“Si rast është i ndjeshëm, por nëse vlerësohet se ka diçka qe pengon procesin e hetimit atëherë kryeshefja duhet të ndëgjohet. Kur është në pyetje dhe hetimi dhe procesi i tij ne nuk pengojmë”, tha ai.

Aida Dërguti nga PSD-ja tha se duhet të ruhet integriteti i familjes dhe viktimës.

“Nëse ka diçka të ndjeshme të kësaj natyre ne duhet t’i kemi parasysh të drejtat e njeriut si dhe integritetin e familjes dhe viktimës”, tha Dërguti, raporton EO.

Kryeshefja e IPK-së, Miradije Kelmendi, tha se pasi që rasti është i ndjeshëm nuk duhet të lëndohen hetimet dhe gjithçka të flitet hapur.

“Ne çdo veprim që e kemi ndërmarrë e kemi njoftu opinionin, unë para se të vij në komision jemi konsultuar edhe me prokurorin e rastit pasi që është rast i ndjeshëm. Në përfundim të hetimeve do ta njoftojmë opinionin për epilogun e këtij rasti, por pasi që jemi në hetime nuk mundemi me dalë publikisht pasi i lëndojmë hetimet”, tha ajo.

Megjithatë pati kundërshtime.

Rexhep Selimi nga LVV tha se askush nuk mund ta ndalojë atë të bëjë pyetje të hapura.

“Ju mund të mos përgjigjeni, por ju mua si deputet nuk mund të ma ndaloni të bëj pyetje publike”, tha ai.

Kryeshefja Kelmendi raportoi për rastin dhe për zhvillimet e saj.

“Pas pranimit të informacionit kemi kontaktuat me prokurorin kujdestar pasi i njëjti ishte dërguar edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Gjatë takimit janë koordinuat ekipet hetimore për hetimin e rastit. Është kontrolluat shtëpia e të dyshuarit V.V dhe zyra e tij. Më datën 5 shkurt është arrestuar i dyshuari V.V, ndërsa më datën 7 shkurt është dërguar kallëzim penal. Jemi duke zhvilluar hetimet. Do ketë hetime të reja dhe jemi në këtë fazë”, u shpreh ajo.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, e pyeti atë nëse zyrtari policor në këtë rast ka marrë veprime dhe nuk ka zbatuar urdhrat e hetimit.

Kryeshefja Kelmendi tha se gjatë kohës kur viktima ka raportuar për dhunë në rastin e profesorit të saj është hetuar nga një zyrtare policore femër.

“Ne e kemi hetuar atë pjesë; është inspektuar rasti në atë kohë. Viktima është hetuar nga një zyrtare police femër dhe Qendra për Punë Sociale ka qenë aty”, tha ajo, raporton EO.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi pyeti kryeshefen nëse ka persona të tjerë të inkriminuar në këtë rast dhe se a është i dyshuar edhe avokati V. V”.

Kelmendi tha se ka edhe persona të tjerë institucionalë të inkriminuar në këtë rast.

Ndërsa nëse është edhe avokati i V.V. i dyshuar i këtij rastit, Kelmendi tha se nuk mund të flasë pasi janë në fazën e hetimeve.

“Ka edhe persona të tjerë të inkriminuar në këtë rast të institucioneve të tjera. Jemi në fazën e hetimeve nuk mund të flasim”, tha ajo.

Ndërkohë për Kelmendin pati edhe disa pyetje të tjera, Xhelal Sveçla nga LVV pyeti Kelmendin se ku është telefoni i V. V. i cili nuk është gjetur gjatë kontrollit.

“Nga mediet kemi marrë vesh se i dyshuari ka refuzuar të japë telefonin e tij. Ku është ai telefon”, ishte pyetja e tij.

Kryeshefja Kelmendi tha se telefoni nuk është gjetur ndërkohë edhe është bërë kërkesë tek Posta e Kosovës ta gjejë lokacionin e këtij telefoni të humbur.

“Gjatë bastisjes së zyrës së tij nuk e ka dorëzu një telefon tjetër. Nuk kemi mujt me gjet, besoj që kemi mjaftë dëshmi për të. Hetimet do ta dëshmojnë”, tha ajo.

Pjesa tjetër e komisionit ku do raportohej për rastin e viktimës nga Drenasi vazhdoi me dyer të mbyllura, e gjithë kjo erdhi pas kërkesës së kryeshefes së Inspektoratit Policor, Miradije Kelmendi.

Të ngjashme