Eshtrat e katër heronjve të Llapit do të rivarrosen në kryeqytet

Prishtinë | 21 Nën 2019 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Eshtrat e heronjve nga Llapi, Fahri Fazliu, Afrim Zhitia, Bahri Fazliu e Agron Rrahmani më 23 nëntor 2019, do të vijnë në kryeqytet, aty ku edhe e zhvilluan pjesën më të madhe të aktivitetit të tyre.

Këtë lajm e ka bërë të ditur anëtari i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, i cili ka dhënë detaje rreth ceremonisë mortore

Ky është njoftimi i tij i plotë:

Jo rrallë herë, duke dashur t’i nderojmë heronjtë, ne, pa dashje, ua zvogëlojmë vlerën atyre. Ne përpiqemi t’i përshkruajmë ata si të jashtëzakonshëm e me cilësi mbinjerëzore.

Dhe këtu fillon gabimi. Në radhë të parë heroi është njeri. Për më tepër, ai është njeri i zakonshëm. Ai di të vuajë, të zhgënjehet, të mallëngjehet, të dashurojë, të gëzohet të qeshë e të qajë. Por ai nuk di kurrë të ndalet.

 Ai nuk është figurë mitike e nuk përbën mbinjeri. Ai qëllon të jetë historian, student, këngëtar, tregtar e bujk. Ai bën pjesë në grupin e të vdekshmëve. Vepra e tyre JO. Dhe ky është dallimi. Duke qenë njerëz të zakonshëm e të përkohshëm ata bëjnë vepra të jashtëzakonshme e të përjetshme. Kjo është veçantia e këtyre njerëzve të zakonshëm.

Të tillë janë edhe Fahri Fazliu, Afrim Zhitia, Bahri Fazliu e Agron Rrahmani. Eshtrat e tyre më 23 nëntor 2019, do të vijnë në kryeqytet, aty ku edhe e zhvilluan pjesën më të madhe të aktivitetit të tyre.

Ky është një respekt për ta dhe nderë për të gjithë ne. Me këtë rast do të zhvillohen këto aktivitete:

10:00 deri 11:30 Homazhe në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës,

12:00 Akademi Përkujtimore në Teatrin Kombëtar në Prishtinë,

13:00 Nisja e kortezhit nga Teatri dhe rivarrimi në “Varrezat e Dëshmorëve” në Velani – Prishtinë.

I përjetshëm kujtimi për ta!

Të ngjashme