EULEX: Për personat e pagjetur, nuk do të dorëzohemi kurrë

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 09:40 | Nga

Kosova shënon sot Ditën Nacionale të Personave të Pagjetur, ndërsa EULEX-i e shfrytëzon këtë rast për t’i përkujtuar të zhdukurit dhe gjendjen e vështirë të familjeve të tyre.

Përmes një njoftimi për media EULEX-i thekson se vazhdon të jetë i përkushtuar për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.

“EULEX-i është këtu për t’u ndihmuar institucioneve të Kosovës, kurse Kosova duhet të ecën përpara ndërsa merret edhe me çështjet nga e kaluara, përfshirë identifikimin e personave të pagjetur. Sa më shumë kohë që kalon, aq më i vështirë bëhet procesi i identifikimit, por derisa të jemi ne këtu, ne nuk do të dorëzohemi kurrë”, tha shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Zbulimi i fatit të rreth 1665 personave që ende nuk janë gjetur vazhdon të jetë prioritet për EULEX-in. Ndonëse procesi i identifikimit është i ndjeshëm, i ndërlikuar dhe kërkon kohë, është shumë me rëndësi që ai të vazhdojë me qëllim të gjetjes së përgjigjeve për vendndodhjen e të pagjeturve.

“Familjet kanë të drejtë që të dinë, kurse identifikimi i saktë do të sjell respektin dhe përmbylljen për ata që i lanë pas” tha Papadopoulou.

Me këtë rast EULEX-i i fton ato familje që deri më tash kanë hezituar, që të bashkëpunojnë me autoritetet, si për shembull duke i dhënë mostrat e gjakut për analiza të ADN-së, që në këtë fazë është shumë e rëndësishme për identifikim.

Derisa EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar për kërkimin dhe identifikimin e të pagjeturve, ai po punon drejt zhvillimit të kapaciteteve vendase në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore duke u përgatitur që ta bëjë bartjen e përgjegjshme të këtij procesi në pronësi vendase.

Që prej fillimit të misionit në dhjetor të vitit 2008, mbetjet mortore të 494 viktimave u janë kthyer familjeve të tyre. Ky është rezultat i punës intensive në teren, ku janë realizuar mbi 566 operacione në teren dhe janë analizuar rreth 2196 mostra të ADN-së.

Të ngjashme