Familja e 11-vjeçarit të vrarë kërkon dënim më të rëndë se 25 vjet për kryesin e veprës

Prishtinë | 12 Tet 2020 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Rina kika, avokate e familjes së 11-vjeçarit rom, Kujtim Veseli, që vjet u dhunua dhe u vra, vlerësoi se dënimi prej 25 vjetësh për kryesin e këtyre veprave Sefedin Osmani, është i vogël.

Kika në Express intervistën e KTV-së, tha se ajo si përfaqësuese ligjore e familjes së Kujtimit, do të apelojë vendimin.

Osmani, sot u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ajo tha se Gjykata ka mundur t’i shqiptojë dënim deri në 35 vjet Osmanit.

“Ne konsiderojmë se Gjykata do të duhej të shqiptonte dënim deri në 35 vjet, pasi Kod Penal e lejon. Gjykata e ka dhënë një arsyetim, se Sefedin Osmanit nuk mund t’i shqiptohej dënim i përjetshëm, pasi ka qenë 19 vjeç kur e ka kryer krimin. Por ka një përjashtim, se kur vepra është për dënim të përjetshëm dhe kryesi i saj është më i ri se 21 vjeç, atëherë mund t’i shqiptohet dënim deri në 35 vjet”, ka thënë Kika.

Ajo ka përshkruar edhe zhvillimin e seancave. Tha se është për seanca të hapura për publikun e gazetarët, porse kësaj here Gjykata ka bërë mirë sipas saj, që i ka mbajtur dyert e mbyllura.

“Në një prej seancave ishte edhe nëna e Kujtimit prezente në sallë dhe ka qenë tepër e vështirë të dëgjoheshin të gjitha provat. Nëna e Kujtimit nuk është e kënaqur me kohëzgjatjen e dënimit, por ia ka shpjeguar se nuk ka mundësi për burgim të përjetshëm dhe ne do të apelojmë për rritje të dënimit”, ka thënë Kika.

Kika ka përshëndetur aktivizimin qytetar rreth kësaj ngjarje, por nuk beson se ka pasur ndikim në vendimin e Gjykatës. Sipas saj, edhe shteti është përgjegjës për këtë krim, meqë ka qenë i paralajmëruar dhe nuk ka marrë masa mbrojtëse.

“Unë mendoj se përgjegjësia kryesore i takon shtetit, vepra penale Sefedin Osmanit është lejuar, pasi kanë qenë e mundshme të parandalohej. Kur një person denoncohet për dhunë ndaj një fëmije, ai menjëherë duhet të merret në mbrojtje, pasi i takon një kategorie të cenueshme, por kur është një fëmijë i një komuniteti, atëherë duhet të mbrohet edhe më shumë, këtë e garanton Kushtetuta. Në rastin e Kujtimit pasi nuk janë marrë këto veprime për parandalim, shteti është përfshirë në shkeljen e të drejtave të njeriut”, ka thënë avokatja Kika.

Të ngjashme