Familjarët e të mbijetuarve të dhunës seksuale të shqetësuar me pamjet që u publikuan sot, kërkohet largimi i tyre

Prishtinë | 16 Maj 2019 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, ka reaguar pas publikimit të fotografisë për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, fotografi e publikuar nga Flora Brovina.

“Pas publikimit në media dhe rrjetet sociale të fotografisë, e cila paraqet kryerjen e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, QKRMT ka pranuar shumë telefonata dhe reagime nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe nga familjarët e tyre. Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë tepër të shqetësuar dhe të indinjuar pas publikimit të këtyre pamjeve”, thuhet në komunikatë.

“Publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë – pa cenzurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës”, thuhet tutje.

QKRMT, në komunikatë thotë se paraqitja e këtyre imazheve në mënyrë publike më së paku iu ndihmon të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe familjarëve të tyre.

“Andaj për shkak të emocioneve të provokuara dhe për shkak të pamjeve të ndjeshme, kërkojmë nga mediat dhe të gjithë ata që e kanë publikuar këtë fotografi, ta largojnë nga shfaqja në publik”, thuhet tutje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme