Femrat gazetare, pre e sulmeve dhe paragjykimeve

Prishtinë | 08 Sht 2016 | 08:56 | Nga

Intimidimi, presioni dhe sfidat ndaj gazetarëve janë të vazhdueshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë vende të tjera të botës. Mirëpo, shumë më e vështirë bëhet kur është fjala për “Femrat në gazetari” në një vend si Kosova. Femrat gazetare në Kosovë qysh nga paslufta e këndej vazhdimisht janë ballafaquar me paragjykime, standarde të dyfishta e madje edhe kërcënime gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

E krejt kjo ka ndodhur si pasojë e shoqërisë patriarkale që ende mbizotëron në Kosovë, ku femra shihet e zonja vetëm për punët e shtëpisë dhe asgjë më shumë. Kështu u tha në një panel me disa prej gazetareve më të suksesshme në Kosovë, si kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, drejtoreshës së rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, kryeredaktores së “Prishtina Insight”, Lura Limani dhe gazetares së pavarur Una Hajdari të organizuar nga gazetarja Valerie Plesch.

Ato kanë treguar edhe disa nga përvojat e tyre më të errëta në këtë profesion duke thënë se rrugëzgjidhja e vetme që të mbetet është të “bëhesh më e fortë”. “Më kujtohet kur për të ma redaktuar një tekst redaktori im më kishte kërkuar që të ulesha në prehrin e tij”, ka rrëfyer drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra. “Në atë moment e kam kuptuar se duhet të bëhesh e fortë në këtë profesion dhe të mos lejosh të diskriminohesh në atë mënyrë. Ai ka qenë çmimi që është dashur të paguajmë. Të bëhem më e fortë”, ka thënë Jeta Xharra.

Ndërkohë kryeredaktorja e gazetës “Zëri” duke treguar disa prej rasteve më të vështirë që i është dashur të kalojë si pasojë e raportimit të saj ka thënë se në Kosovë është një fushëveprim shumë i vështirë për femrat në gazetari. Sipas saj, femrat në gazetari në Kosovë janë objektivat më të lehta për t’u goditur. “Ne ballafaqohemi në baza ditore me presione të ndryshme pikërisht për shkak se jemi objektiva më të lehta për t’u goditur. Për këtë rastet janë të shumta. Nga shumë gazetarë, që kanë mbuluar ekstremizmin në Kosovë, një imam nga Peja më ka paditur vetëm mua dhe kjo e dëshmon atë që po them. Gjuha seksiste, diskriminimi dhe presioni i vazhdueshëm, qoftë edhe nga rrjetet sociale, është diçka me të cilën duhet të ballafaqohemi në baza ditore”, ka thënë kryeredaktorja e “Zërit” Arbana Xharra. Sipas Xharrës, sot presionet janë bërë të llojllojshme dhe jo vetëm fizike. “Si pasojë e shumë shkrimeve që bëjmë për ndonjë biznes apo ministri të caktuar, ata ndalin reklamimin në mediumin tonë. Kjo është një tjetër lloj i presionit financiar që na bëhet”, ka thënë Xharra.

Ndërkohë gazetarja e pavarur, Una Hajdari, ka thënë se femrat gazetare në Kosovë për t’ia arritur qëllimit që të sigurojnë burimet dhe informacionet e duhura “duhet” të durojnë edhe sjellje jokorrekte nga politikanë të ndryshëm. “Nëse kalon kohë duke u ankuar për sjelljen e disa politikanëve karshi juve si gazetare femër, atëherë mund të përfundosh duke mos siguruar informacionet bazike që të duhen për të shkruar atë storie”, ka thënë Hajdari.

Ndërkohë, kryeredaktorja e “Prishtina Insight”, Lura Limani, ka thënë se sado e keqe është situata në Prishtinë sa i përket gazetarisë, nëpër qytetet tjera ajo vetëm shkon duke u përkeqësuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme