Galeria e MKRS-së vjen për artdashësit përmes “Artistët në Karantinë”

Prishtinë | 12 Pri 2020 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Galeria e Ministrisë së Kulturës, ka njoftuar se është institucioni i parë vartës i MKRS-së që ka filluar që jetë më afër artistëve dhe publikut gjatë kohës sa Galeria është e mbyllur për vizitorë për shkak të pandemisë së krijuar nga virusi Covid-19.

Fillimisht me anë të ciklit “Retrospektivë” filluar më 17 mars 2020, kanë dashur që t’i ri-sjellin publikut artdashës disa nga projektet kulturore (ekspozitat) më të spikatura që janë hapur në dhjetë vjetëshin e fundit në GMK.

Kemi nisur me ekspozitën e vitit 2013, “Imazhi gjuhësor i piktorëve tradicional të viseve tona” përmes së cilës u patën ekspozuar veprat e 24 artistëve më të shquar shqiptarë të fillim shek. XX, veprat e të cilëve vazhdojnë të mbesin udhërrëfyes dhe objekt studimi si për artistët e rinj ashtu edhe për kritikët e artit.

Për cdo ditë në faqen e Galerisë në rrjetin social Facebook, ne postojmë nga një foto të cdo punimi që ishte i ekspozuar në kuadër të kësaj ekspozite. Gjithashtu kemi postuar edhe katalogun e plotë në formatin “pdf.”

Nga fondi i veprave të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë janë zgjedhur krijimtaritë e piktorëve si: Kolë Idromeno, Andrea Kushi, Zef Kolombi, Abdurrahim Buza, Androniqi Zengo Antoniu, Nexhmedin Zaimi, Kel Kodheli, Sofia Zengo Papadhimitri, Vladimir Jani dhe Foto Stamo.

Ndërkaq, nga fondi i veprave të Galerisë Kombëtare të Kosovës janë zgjedhur krijimtaritë e piktorëve si: Ëngjëll Berisha, Vllado Radovic, Svetozar Kamenoviq, Nustret Salihamixhiqi, Agush Beqiri, Hilmija Qatoviq, Gjelosh Gjokaj, Muslim Mulliqi, Xhevdet Xhafa, Rrexhep Ferri, Tahir Emra dhe Kadrush Rama.

Më pastaj, në faqen e Galerisë në Facebook, është postuar në formatin “pdf” katalogu i plotë i ekspozitës aktuale të autores Argenita Fetahu, e titulluar “Përtej.” Ndërkaq nga e hëna, 13 prill 2020, të gjithë të interesuarit këtë ekspozitë do të mund ta vizitojnë edhe  virtualisht në formatin 3D.

Në vijim do t’i sjellim publikut edhe materiale nga ekspozitat e tjera në kuadër të ciklit “Retrospektivë.”

Galeria e Ministrisë së Kulturës ju uron të gjithëve shëndet, duke ju kërkuar njëkohësisht që të qëndroni në shtëpi derisa të kaloj pandemia me Covid-19 në mënyrë që sa më parë të jetë e mundur, të gjithë t’i kthehemi aktiviteteve normale/të zakonshme ditore.

Të ngjashme