Gastronomia hapet nga e hëna, kufizimi i lëvizjes vazhdon

Prishtinë | 18 Pri 2021 | 19:19 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u vendosë që sektori i gastronomisë të hapet nga e hëna, ndërsa kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:30 deri në 05:00, raporton Ekonomia Online.

Ky orar vlen përveç: Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi). Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë, dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike. Operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

Gastronomia do të lejohet të punojë deri në orën 22:00 ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.

Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë.

Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskurzionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

Tutje, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe këto katër pika:

Shqyrtimi i Propozim-vendimit për Autorizimin e Ministrit të Shëndetësisë për plotësim – ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (Shëndetësi) Nr.01/2015 Autorizimi për Marketing për Produkte Medicinale duke evituar procedurat që përcaktohen me Rregulloren nr. 09/2011 të Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Rregulloren nr.13/2013 për Shërbimin Ligjor Qeveritar (MSH). Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky ligj shërben në aspektin e adresimit të kërkesave ligjore për vaksinat anti-Covid.

Shqyrtim Projekt-udhëzimit Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ nr.03/2016 për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Shqyrtimi i Propozim-vendimit më të cilën konfirmohet vullneti i Qeverisë së Republikës së Kosovës për procedimin e mëtutjetshëm për shqyrtim në Kuvendin e Republikës së Kosovës të disa vendimeve të Qeverisë.

Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr.01/69 të datës 15 mars 2021, ku nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u kërkua që emërtimi “gardianë” të zëvendësohet për personalin korrektues të Kosovës.

Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për atë që është konsideruar mbyllje e pjesshme nga data 7 deri më 18 të këtij muaji.

Masat kishin për qëllim luftimin e pandemisë, pas rritjes së numrit të të infektuarve nga muaji mars.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,517 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,072 kanë vdekur.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

Të ngjashme