Gjatë pesë vjetëve të fundit 99 persona kanë humbur jetën në vendin e punës

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 10:55 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kosovë gjatë vitit 2017 në vendin e punës kanë humbur jetën 21 punëtorë prej të cilëve 13 punëtorë janë nga sektori i ndërtimtarisë, një nga sektori i energjetikës, një nga sektori i prodhimtarisë, një nga sektori i shërbimeve publike dhe 5 vdekje që janë konstatuar si vdekje natyrore, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, në vitin 2018 deri të tani në vendin e punës kanë humbur jetën 20 punëtorë, prej të cilëve 11 janë nga sektori i prodhimtarisë, tre nga sektori i energjetikës, dy nga sektori i prodhimtarisë, një nga sektori i shërbimeve publike, një nga sektori i IT-së dhe dy raste të tjera për të cilët nga ka asnjë të dhënë për arsyen e vdekjes se tyre.

Kurse vetëm gjatë 5 viteve të fundit, 99 qytetarë, mbajtës të familjeve kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës në sektorin e ndërtimtarisë.

Këto të dhnëa u bënë publike në raportin “Vdekjet e Heshtura”, raport që e prezantoi Brikenë Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, gjatë dëgjimit publik për Projektligjin për Inspektoratin e Punës, organizuar nga Komisioni parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Bekim Haxhiu, kryesues i grupit punues për shqyrtimin e projektligjit për Inspektoratin e Punës tha se është i domosdoshëm një ligj i ri i cili mbron të drejtat e punëtorëve dhe është i zbatueshëm në praktikë.

“Këtë vit numri i vdekjeve në punë ka qenë i madh dhe lëndimet në punë kanë qenë në rritje, shkeljet e drejtave të punëtoreve në gjithë sektorët privat dhe publik dhe dy vitet e fundit kemi pas edhe largime nga puna dhe këto arsye bëjnë interesimin edhe më të madh për ligjin e Inspektoratit të Punës që mbron të drejtat e punëtorëve që lidhen me të drejtat e tyre”, tha Haxhiu.

“Edhe pse Kuvendi ka miratuar një mori ligjesh për këtë sferë, prapë kemi pas shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe moszbatimin e ligjeve që e bën të domosdoshëm miratimin e një ligji të ri në zgjedhjen e problemeve”, tha Haxhiu.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu tha se Kosova ende nuk e ka një ligj për punën dhe për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve që është plotësisht i zbatueshëm.

“Edhe sot e kësaj dite nuk kemi arrit me pas parasysh se kemi një numër të madh të fatkeqësie në vendin e punës ku ligji i punës dhe për shëndetin nuk është duke u zbatuar siç ne dëshirojmë, nga ky dëgjim publik dhe nga debatet tjera që po mbajmë besoj se do të dal një ligj i zbatueshëm dhe që ka pas nevojë Republika e Kosovës”, tha Baftiu.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Çerkin Dukolli tha se qëllimi i hartimit të projektligjit për Inspektoratin e Punës ka qenë i domosdoshëm, raporton EO.

“Miratimi i një projektligji të tillë do të fuqizoj rolin dhe rritjen e efikasitetit të punës dhe rritja e efikasitetit ndikon në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit”, tha Dukolli.

Të ngjashme