Gjinovci: Mishi në tregjet e Kosovës është i sigurt

Prishtinë | 24 Mar 2018 | 13:52 | Nga

Shefi i AUV-it, Valdet Gjinovci ka siguruar qytetarët se mishi në Kosovë është i sigurt dhe agjencia që ai e udhëheqë bën kontrolle sistematike për të parandaluar produkte pa afat në treg.

Gjinovci ka thënë për RTK-në se skandalin me mishin nga Belgjika e kanë zbuluar vetë inspektorët e AUV-it, dhe sipas tij, 40 tonë mish janë asgjësuar dhe se ai mish nuk ka qenë në tregjet apo marketet e Kosovës për asnjë sekondë.

Gjinovci ka paralajmëruar të gjithë ata që merren me industrinë e mishit por edhe me produkte të tjera që të mos ndihen të qetë nëse tentojnë të bëjnë gjëra të pandërgjegjshme sepse nuk do të lihen rehat nga AUV-i dhe prokuroria.

Shefi i AUV-it, foli edhe për konfiskimin e mishit nga inspektorët komunalë të Mitrovicës duke e vlerësuar punën e tyre, por ai kërkoi që të gjithë inspektorët të jenë nën ombrellën e AUV-it. Gjinovci dha edhe një lajm për fermerët, të cilët i siguroi se këtë vit nuk do të ketë asnjë mungesë të vaksinave për gjedhet të cilat vitin e kaluar ishin prekur nga sëmundja gungore e lëkurës. Gjinovci tha se janë siguruar të gjitha vaksinat, dhe bëri thirrje për bashkëpunim me fermerët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme