GLPS reagon ndaj ndërprerjes së Punës së Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu!, shprehin kundërshtimin e tyre ndaj ndërprerjes së punës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës (pjesa veriore). Një situatë e tillë është shkelje direkte e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Gjykatat me legjislacionit përkatës si dhe shkelje e Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësinë në Veriun e Kosovës. Akti i tillë është njëkohësisht tregues i qartë që Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës është nën kontrollin direkt politik të Qeverisë së Serbisë. Një sjellje e tillë e Kryetarit Nikolla Kabašič dhe bashkëpunëtorëve të tij është sulm i drejtpërdrejtë ndaj Rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe pamundëson në mënyrë direkte qasjen e qytetarëve serb dhe të tjerë në sistemin e drejtësisë.

Gjyqtarët duhet të jenë trupë e paanshme, e pavarur dhe profesionale. Cfarëdo lidhje e tyre me struktura politike, sikur që është rasti i kontrollit të Qeverisë së Beogradit, është në shpërputhje me parimet e një sistemi të pavarur të drejtësisë, që i bindet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, dhe nga i cili pritet të garantoj qasje të barabartë për të gjithë qytetarët pavarësisht etnisë së tyre në sistemin e drejtësisë.

Prandaj, GLPS dhe Çohu kërkojnë fillimisht nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të marrë masat e nevojshme dhe të garantoi funksionimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë me degët përkatëse si dhe t’i bëj llogaridhënës të gjithë përgjegjësit që kanë rënë ndesh me Ligjin dhe Rendin Kushtetues dhe Juridik të Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht GLPS dhe Çohu! u bëjnë thirrje Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Ministrisë së Drejtësisë si zbatuese të Marrëveshjes që të reagojnë ndaj kësaj shkeljeje flagrante të Marrëveshjes së Drejtësisë e cila është gjithashtu shkelje e Rendit Kushtetues e Juridik të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj kontrollit direkt politik që u pa sot ndaj gjyqtarëve në Gjykatën Themelore të Mitrovicës (pjesa veriore). Zonja Mogerini duhet të garantoj në mënyrë të përgjegjshme zbatimin esencial të një Marrëveshjeje që është trumbetuar të integroj veriun në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Pushteti gjyqësor është pushtet i pavarur dhe i ndarë i cili nuk guxon t’i nënshtrohet diktatit politik të askujt.

Sinqerisht,

GLPS dhe Çohu!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme