Grupi i Deputetëve të Gjelbër me iniciativë për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit

Prishtinë | 16 Pri 2019 | 15:17 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi i Deputetëve të Gjelbër ka mbajtur mbledhjen konstituive, pas mbjelljes së fidanit në oborrin e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e këtij grupi, Mimoza Kusari-Lila, filloi mbledhjen me dy thënie për mjedisin, duke shtuar se ky grup i bën njerëzit më të vëmendshëm tashmë ndaj mjedisit.

“Mos të kemi dyshime në misionin tonë dhe ndikimin që mund të kemi. Ndryshimi ka filluar nga një numër i vogël i njerëzve. Toka ka të drejtat e veta që një prej tyre duhet të jetë të mos ndotet. Formimi i grupit e bën një agjendë të re dhe e bën më të vëmendshëm për çështje të mbrojtjes së mjedisit, kontributin që grupi do ta japë në draftimin e ligjit të ri. Përcaktimi objektivave zhvillimore nuk mund të bëhet nëse nuk e ka kujdesin për mjedis. Përcaktimi i buxhetit nuk mund të jetë efikas nëse në thelb nuk e ka trajtimin e shkaqeve të pasojave të mjedisit. Nuk mund të jemi të përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe të jemi në procese të korruptuara. Nuk mund të thirremi për zhvillime të reja kur nuk kemi mjedis të shëndoshë”, tha Kusari-Lila.

Deputetja nga radhët e VV, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, shtroi rëndësinë e mjedisit në shëndetin e njeriut.

“Si mjeke mund të them se kur flasim për shëndetin mund ta vendosim një barazim për mjedisin. Ajo çka ne hamë, ajri që thithim ka direkt pasoja në shëndetin tonë”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se edhe në komisionin e Integrimit Evropian sfidë ka qenë mjedisi dhe çështjet mbi të për vitet në vazhdim.

“Ndër sfidat kryesore kanë qenë kryesisht çështjet mjedisore që janë adresu si sfidat më të mëdha që do të jenë në vitet në vazhdim. Vlerësoj se do ta kemi synim të qartë ndihmën e zbatimit të ligjit që ndonëse është i mirë nuk kemi arritur ta zbatojmë në praktikë”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit për zhvillim ekonomik, Sala Berisha-Shala, tha se është mundësi e mirë që deputetët e përfshirë në këtë grup janë anëtarë edhe të komisioneve të tjera, gjë që do ndikoj pozitivisht për adresimin e çështjes së mjedisit në mënyrë të duhur.

“Ky grup është jashtëzakonisht i rëndësishëm që jo vetëm i bashkon deputetët pa dallime partiake por duke qenë në komisione të ndryshme ti shqyrtojmë me vëmendje projektligjet që vijnë për mjedisin”, tha ajo.

Deputeti nga LDK-ja, Armend Zemaj, e përshkroi këtë si nevojë të përditshme për ta ngritur zërin në mbrojtjen e natyrës.

“Kjo vjen si nevojë e jona e përditshme që të jemi zë i fuqishëm në mbrojtjen e natyrës dhe resurset që Kosova të ketë atë pamjen çfarë dëshirojmë apo atë çfarë e ka falë Zoti”, tha ai, raporton EO.

Shqipe Pantina nga PSD-ja shtroi edhe çështjen e mbrojtjes së lumenjve, ndërsa bëri thirrje që të krijohet kulturë e kujdesit ndaj mjedisit.

“Pasojat e mjedisit, tokës i bartin ata që vijnë pas neve prandaj e kemi edhe një obligim shtesë. Duke qenë se secili e ka obligim po besoj do të ndihmojmë të ndihmojmë lumenjtë dhe ti parandalojmë ata gurëthyes që po i shkatërrojnë ata. Ta krijojmë një kulturë të përgjithshme të kujdesit të mjedisit që për fat të keq nuk e kemi. Ta shpërndajmë dashurinë për mjedisin por ta krijojmë edhe një kulturë në vazhdimësi”, tha Pantina.

Grupi do të kryesohet nga deputetja Mimoza Kusari-Lila. Zv. kryesuese do të jenë Sala Berisha-Shala dhe Fatmire Kollçaku. 

Duke qenë grup joformal, deputetët mund të bëhen pjesë e tij edhe në vazhdim.

Të ngjashme