Hoti: Dokumentimi dhe vërtetimi i historisë, ka rëndësi të veçantë

Prishtinë | 23 Nën 2020 | 13:01 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se dokumentimi i historisë sonë ka një rëndësi të veçantë, raporton Ekonomia Online.

“Kjo është rëndësi e veçantë dhe përpjekje që i ka munguar Kosovës në dokumentimin dhe vërtetimin e  historisë. ’Le të shërbejë ky projekt si një hap përpara në përkushtimin për t’u dhënë zë kujtimeve të mbijetuarve dhe trashëgimisë së atyre që ranë, si dhe të pagjeturve, në përpjekje drejt shërimit, gjetjes së përgjigjeve të shumëpritura dhe njohjes më të thellë të historisë e të identitetit tonë”, tha Hoti.

Hoti këto komente i bëri gjatë nënshkrimit të memorandumit, për mbështetjen financiare të projektit: “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, ndërmjet Ministrisë së  Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ndërsa, ministrja Vlora Dumoshi, dha mbështetjen e saj për këtë projekt.

“Masakra e Krushës është një nga më mizoret të kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë. Ajo çfarë ka lënë pas kjo masakër është pasqyrë e një historie të trishtë. Unë e kam mirëpritur këtë projekt dhe jemi zotuar që të përkrahim dhe të qëndrojmë pranë Bibliotekës Kombëtare. Dua të falënderoj secilin krushian që do ti bëjnë ballë rrëfimeve të ngjarjeve që u’a ndryshojë jetën. Është përgjegjësi e jona që gjeneratave të reja tua lëmë pas historinë e dokumentuar të Kosovës”, tha ajo.

Drejtori i Bibliotekës kombëtare Fazli Gajraku, tha se do të jenë diku rreth 300 histori gojore të të mbijetuarave të masakrës së Krushës së Madhe.

“Këto rrëfime do të ndihmojnë që të plotësojmë një zbrazëti që ekziston në bibliotekë. Pritet të jen rreth 300 histori gojore të të mbijetuarve të rrëfimeve të masakrës së Krushës së Madhe. Ambasada Amerikane në Prishtinës i kanë mbështetur financiarisht që nga viti 2015”.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë ruhet vetëm duke e regjistruar dhe arkivuar.

“Kujtesa e Kosovës ruhet duke regjistruar dëshmitë dhe duke i arkivuar ato. Të mbijetuarit e masakrave nuk janë të shumta dhe ka prej atyre që vdiqën pa ia dëgjuar rrëfimin. Krimi serb është i egër dhe aty njerëzit tanë u vranë”, tha ai.

Të ngjashme