IKD: Mungesa e llogaridhënies së gjyqtarëve e prokurorëve, pengesë për avancimin e sistemit të drejtësisë

Prishtinë | 23 Nën 2021 | 10:37 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka prezantuar raportin “Llogaridhënia pa progres”, i cili raport është analizë e (mos)zbatimit të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, raporton Ekonomia Online.

Sipas gjetjeve të IKD-së, mungesa e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve është pengesa kryesore e avancimit të sistemit kosovar të drejtësisë drejt një sistemi llogaridhënës, me integritet dhe profesional.

Gëzim Shala, nga IKD tha se janë hedhur poshtë 233 ankesa disiplinore nga 276 ankesa gjatë viti 2020 dhe gjysmës së parë të vitit 2021 kanë hedhur poshtë gjithsej 233 ankesa disiplinore.

“Mbi 80 për qind të ankesave disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve janë hedhur nga autoritetet kompetente, përkatësisht nga kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët, ajo çfarë bie në sy në këtë rast është mungesa e arsyetimeve meritore ndaj aktvendimeve me të cilat edhe hedhen ankesat disiplinore”.

Shala ka pasur kritika edhe sa i përket mos veprim të Avokatit në rastet e hedhjeve të ankesave disiplinore nga ana e autoriteteve kompetente.

“Aspekt tjetër jashtëzakonisht problematik në këtë drejtim është qasja që Avokati i Popullit ka pasur në sistemin e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve. IAP vazhdimisht ka thënë se të njëjtit nuk kanë kompetencë për të trajtuar ankesat ndaj rasteve disiplinore, përjashtimisht nëse vet autoritetet kompetente nuk vendosin në këto raste”.

“IKD ka avokuar vazhdimisht se bazuar në Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Avokati i Popullit ka të drejtë që nëse një rast është hedhur dhe Avokati i Popullit gjen arsye se nuk është dashur të hedhet ta procedojë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës përkatësisht në Këshillin Prokurorial”.

Anesa Hoxha nga IKD, tha se rekomandojnë që autoritetet mos të kalojnë nivelin e kompetencës për të vlerësuar meritat e ankesës.

“IKD ka rekomanduar që autoritetet kompetente mos të kalojnë nivelin e kompetencës së tyre për të vlerësuar meritat e ankesës disiplinore, por të kufizohen në vlerësimin nëse një ankesë disiplinore përbën çështje disiplinore. Këto autoritete të japin arsyetime meritore në vendimet e tyre lidhur me ankesat disiplinore, si dhe të vendosin brenda afateve ligjore”.

“Autoritetet kompetente që nuk vendosin brenda afateve ligjore të mos amnistohen na KPK. Me rastin e shqyrtimit të gjendjes faktike të një rasti disiplinor, KGJK të trajtojë gjendjen faktike sipas gjithë dokumentacionit dhe mos të fokusohet vetëm në dokumentet apo provat e tjera të cilat shkojnë në favor të vetëm njërës palë”.

Në raportin e IKD-së, thuhet se Republika e Kosovës përmes Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve ka reformuar sistemin llogaridhënës, por që mungesa e vullnetit për të zbatuar këtë ligj në mënyrë të drejtë, të pavarur, dhe të paanshme ka bërë që as ky sistem mos të jap rezultatet e kërkuara, duke ofruar amnisti për prokurorët dhe gjykatësit që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe kodet e etikës.

Tutje sipas raportit, qasja jo-ligjore e autoriteteve kompetente në hudhjen e ankesave disiplinore dhe lirimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga përgjegjësia disiplinore nga ana e këshillave përmes vendimeve jo të arsyetuara mirë ka krijuar praktika negative në sistemin e drejtësisë.

Të ngjashme