IKMN: Macja e egër strikt e mbrojtur dhe gjuetia e saj ndalohet me ligj

Prishtinë | 15 Jan 2019 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN) thotë se me shqetësim ka marrë lajmin për vrasjen e një maceje të egër (Felis sylvestris), në rajonin e Ferizajt e cila bënë pjesë në listën e llojeve të egra vendore strikt të mbrojtura. Fillimisht kjo mace e egër ishte identifikuar gabimisht si Rrëqebull (Lynx lynx ssp. balcanicus).

Menjëherë pas marrjes së informatës Instituti për Mbrojtjen e Natyrës së bashku me Inspektoratin e MMPH-së, janë angazhuar për të ndërmarrë masat e duhura sipas legjislacionit në fuqi. Mirëpo paraprakisht Agjencioni i Pyjeve të Kosovës, në bazë të kompetencave që ka bazuar në Ligjin për Gjuetinë, ka njoftuar Policinë e Kosovës e cila në bashkëpunim me Prokurorinë janë duke u marrë rastin në fjalë.

Me këtë rast duhet cekur dhe sqaruar se njëjtë sikurse Rrëqebulli edhe Macja e egër është një lloj strikt i mbrojtur dhe gjuetia e saj ndalohet rreptësisht me ligjet në fuqi, dhe gjithashtu sipas legjislacionit parashihet edhe dënimi me gjobe dhe burgim për këdo që gjuan këto lloje të rrezikuara ose të rralla të kafshëve.

Instituti për Mbrojtjen e Natyrës së Kosovës, u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, të raportojnë për çdo veprimtari të dyshimtë të gjuetisë ndaj llojeve të rralla dhe të mbrojtura me ligj.

Nga monitorimi i vazhdueshëm i faunës IKMN përmes kamerave kurthë dhe të dhënave nga terreni ka konstatuar praninë e llojit të maces së egër në disa habitate në territorin e Kosovës dhe gjendja e saj është e mirë.

Të ngjashme